Pas arrestimit të rojes private të sigurisë dhe reagimeve të forta publike për incidentin në Zvërnec, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të dalë vetë në mbrojtje të projektit që po ngjall polemika. Në një reagim në rrjetet sociale, ai e cilësoi investimin si një “projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë”, duke paralajmëruar se të dielën do të shpjegojë publikisht atë që ai e konsideron si një valë “të pavërtetash të mëdha” të hedhura në qarkullim kundër tij.
Rama u kujdes fillimisht të përgëzonte Policinë e Shtetit për reagimin ndaj “grushtit të muskujve pa tru” të rojeve private dhe ndaj drejtuesve vendorë të policisë në Vlorë, duke vlerësuar qasjen e re të tolerancës zero ndaj çdo uniformë që cenon besimin e publikut. Por pjesa më interesante e reagimit ishte sinjali se beteja e vërtetë nuk është me rojet e arrestuara, por me kritikët e projektit.
Në një kohë kur kompania investitore ka ndërprerë kontratën me shoqërinë e sigurisë dhe po përpiqet të distancohet nga skenat që shkaktuan reagime të forta, kryeministri duket se po përgatitet të marrë personalisht flamurin e mbrojtjes së investimit. Mesazhi është i qartë: problemi nuk qenka projekti, por mënyra se si po tregohet historia e tij.
Tashmë mbetet të shihet nëse konferenca e paralajmëruar për nesër do të sjellë sqarime për pyetjet që janë ngritur, apo do të shndërrohet në një tjetër betejë mes versionit zyrtar dhe atyre që kryeministri i quan “të pavërteta të mëdha”. Në fund të fundit, kur vetë kreu i qeverisë zbret në fushë për të mbrojtur një investim privat, është e qartë se debati sapo ka hyrë në një nivel tjetër.



