-640-0-llani-1780937703

Një ngjarje e rëndë ndodhi në zonën e Paskuqanit pak para mesditës, ku një 27-vjeçar, i cili po ecte në këmbë në rrugicë bashkë me shokët e tij, kur ra pre e sulmit me armë nga një 39-vjeçar, i cili qëlloi nga një makinë në lëvizje.

I riu u identifikua si Ardian Baloshi, mori disa plumba kallashnikovi dhe u përcoll në spital nga shokët e tij, ku mbërriti pa shenja jete.

“Rob i vetëm. Jetonte me nënën, veç nënën, as motër, as vëlla, as baba. Mori plumb në kokë ai, nuk shpëtonte më”, dëshmoi një nga shokët e viktimës për gazetaren e Top Channel Dorjana Bezat.

Ndërsa autori, Sadik Llanaj, pas ngjarjes u largua me makinë në drejtim të paditur. Për arrestimin e tij, duke qenë se lëviz i armatosur, policia angazhoi forcat RENEA.

Autori së bashku me viktimën banonin në të njëjtën lagje dhe shpesh shoqëroheshin me njëri-tjetrin. Miqtë e përbashkët u shprehën të habitur mbi këtë ngjarje pasi nuk ishin në dijeni të një konflikti mes tyre.

Jashtë kamerave ata treguan se autori qëlloi disa metra drejt 27-vjeçarit.

“Eci disa metra dhe vetëm qëllonte me kallashnikov. Ne shpëtuam nga këmbët e shpejta, nuk na kurseu ai, na kurseu plumbi. Ne e futëm në makinë dhe e çuam në spital, por ishte i vdekur. Ishte dhe nëna e tij me ne. Autori ishte një i çmendur”, u shpreh një nga shokët e Ardian Baloshit.