Protestat e fundit në Shqipëri kanë ndikuar edhe në rritjen e interesit për largimin e kryeministrit Edi Rama në platformën ndërkombëtare të parashikimeve “Polymarket”, e njohur për tregjet ku përdoruesit vendosin para reale mbi zhvillimet e ardhshme politike dhe globale.
Në këtë platformë, prej kohësh është aktiv tregu me pyetjen: “A do të largohet kryeministri Edi Rama brenda vitit 2026?”
Sipas të dhënave aktuale, rreth 45% e pjesëmarrësve në këtë treg besojnë se Rama mund të mos e përfundojë mandatin deri më 31 dhjetor 2026. Ndërkohë, gjatë periudhës së fundit janë regjistruar luhatje të forta në parashikime, ku më 30 prill pritshmëritë për largimin e tij arritën në 62%, ndërsa më 12 maj ranë ndjeshëm në 11%.
“Polymarket” nuk konsiderohet një sondazh tradicional, por një “prediction market”, ku çmimet dhe kuotat pasqyrojnë perceptimet e përdoruesve ndërkombëtarë mbi ngjarje të ndryshme, përfshirë politikën.
Sipas rregullave të tregut, rezultati do të mbyllet “Po” nëse Edi Rama pushon së qeni kryeministër në çdo moment deri më 31 dhjetor 2026. Në të kundërt, nëse ai qëndron në detyrë gjatë gjithë kësaj periudhe, rezultati do të jetë “Jo”.
Një dorëheqje ose njoftim zyrtar për largim brenda këtij afati do të mjaftonte për ta mbyllur menjëherë tregun me rezultat “Po”, pavarësisht se kur do të hyjë në fuqi vendimi.
Platforma ka hapur këtë treg më 5 mars 2026, ora 16:59 (ET), ndërsa burimi i verifikimit të rezultatit është informacioni zyrtar nga qeveria shqiptare dhe deklaratat e kryeministrit, si dhe raportimet e mediave të besueshme.



