Kryeministri Edi Rama ka deklaruar për agjencinë prestigjioze Reutersse Shqipëria do të vijojë me ndërtimin e resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, pavarësisht protestave masive për ndikimin e tij në mjedis.
Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, Tiranës, dhe në bregdetin jugor ku është propozuar ndërtimi i resortit, duke kërkuar që projekti të anulohet për shkak të ndikimit në një ligatinë të mbrojtur ku jetojnë flamingot, fokat dhe vendet e folezimit të breshkave të detit.
Flamingoja është shndërruar në simbolin e lëvizjes protestuese: demonstruesit mbajnë flamingo rozë të fryra dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i Flamingove”.
Rama nuk është lëkundur nga protestat, duke i thënë Reuters se zhvilluesit e projektit do t’i “mahnitin” njerëzit me planet e tyre gjatë muajve të ardhshëm dhe se pjesë të resortit mund të hapen për publikun para përfundimit të kësaj dekade.
“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta realizojmë atë, dhe do të jemi krenarë që do të kontribuojmë për Evropën,” tha Rama gjatë një interviste në zyrën e tij, vetëm pak metra larg vendit ku zhvillohen çdo mbrëmje demonstratat kundër projektit.
“Jam votuar që t’i bëj këto gjëra të ndodhin. Nuk jam votuar që të udhëhiqem nga njerëz që kanë një ide tjetër për mënyrën se si duhet të zhvillohet vendi.”
ËNDRRAT E MËDHA PËRBALLEN ME KONTROVERSA
Rama, 61 vjeç, ish-basketbollist dhe artist, i cili mori detyrën në vitin 2013 dhe synon ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, krenohet që ka drejtuar modernizimin e një vendi që për dekada me radhë kishte mbetur në vendnumëro nën një diktaturë komuniste veçanërisht shtypëse deri në vitet 1990.
Ai kultivon një stil joformal, me kostum të zi të gjerë, bluzë të zezë dhe atlete të bardha. Zyra e tij ngjan me një hapësirë moderne bashkëpunimi urban, me mure të zbukuruara nga pikturat e tij shumëngjyrëshe. Nëpër ambient gjenden pjata të mbushura me lapsa me ngjyra dhe markera, ndërsa tavolina e punës është e mbushur me skica dhe vizatime spontane.
Projekti i resortit që ai promovon është ideja e Jared Kushnerit dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump, të cilët kanë treguar se u dashuruan me Shqipërinë disa vite më parë gjatë një vizite me jaht. Rama i takoi ata gjatë atij udhëtimi dhe i përshkroi si “njerëz shumë të mirë, të thjeshtë… njerëzisht të mirë”.
Tashmë, firma investuese e Kushnerit, Affinity Partners, është e përfshirë në projektin prej 1.4 miliardë eurosh (1.6 miliardë dollarë) pranë zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, si dhe në një projekt tjetër në ishullin e afërt të Sazanit.
Së bashku, këto projekte kanë një vlerë që mund të arrijë deri në 5 miliardë euro, tha Rama.
“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë janë përballur me polemika.”
Affinity Partners dhe Kushner nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Kompania Sazan Real Estate Development LLC, e cila po zhvillon planet, i ka thënë Reuters se do ta bëjë këtë në mënyrë të përgjegjshme.



