akshi

Dosja e SPAK për AKSHI-n po merr përmasat më të mëdha, ndërsa zbulohen detaje të rënda.

Vox News mëson se SPAK pritet të lëshojë urdhër-arreste për disa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Këta të fundit nuk janë përfshirë vetëm në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, por siç mëson Vox News, edhe në rrëmbimin e ish-zv/drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.

Çfarë ndodhi më 20 gusht të këtij viti?

Daniel Shima u zhduk më 20 gusht të këtij viti, ndërsa një ditë më vonë u kthye në banesë në orët e vona të natës. Policia deklaroi në atë kohë se Daniel Shima u largua me dëshirë, ndërsa ky i fundit deklaroi në mënyrë informale se kishte qenë në Dhërmi.

Zhdukja e Daniel Shima u denoncua nga familjarët pasditen 20 gushtit. Nëna e Shimës është lajmëruar fillimisht nga e dashura e 34-vjeçarit.

E reja i ka treguar nënës së Shimës se rreth orës 13:30, Danieli i ka dërguar një mesazh në telefon, ku i shkruan: “Po më arreston policia”.

Për këtë arsye, e dashura e ish-zv/drejtorit të AKSHI-t fillimisht ka telefonuar policinë dhe, pasi ka mësuar se Danieli nuk rezultonte i arrestuar apo i shoqëruar, ka vënë në dijeni familjarët.

E njëjta skemë pengmarrjeje si e Gerond Meçes

Por Vox News mëson Daniel Shima nuk ishte larguar me dëshirë, por ndaj tij është përdorur e njëjta skemë rrëmbimi si e biznesmenit Gerond Meçe. Ai është marrë peng nga persona të panjohur me veshje policie dhe është dërguar në rrethinat e Elbasanit ku është kërcënuar.

Burime të Vox News thonë se në dijeni të pengmarrjes kanë qenë edhe drejtues të lartë të policisë, ndërsa nuk dihet nëse ata kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në pengmarrjen e Shimës. Megjithatë, SPAK nga të dhënat që disponon, dyshon se disa drejtues kanë qenë të përfshirë në pengmarrjen e ish-zyrtarit të AKSHI-t.

Për këtë arsye, ditën e sotme, agjentët e BKH-së me urdhër të SPAK, kanë krye kontrolle në banesat e disa drejtuesve të Policisë së Shtetit, ndërsa në orët e ardhshme priten edhe urdhër-arreste.

Denoncimi i Berishës

Pengmarrjen e Daniel Shimës e denoncoi pak ditë më parë edhe lideri i PD-së, Sali Berisha. Ai tha se AKSHI është një institucion, që ka një histori si në Holliëood. Berisha tregoi sesi në këtë institucion, është marrë peng një ish-zyrtari Daniel Shima që dinte për atë që ndodhte aty. Për Berishën, ka pasur urdhër, që zyrtari i marrë peng Daniel Shima të vritej, por urdhri është ndryshuar dhe ai është dhunuar në mënyrë brutale.

“Grupi i AKSHI-t janë organizatë kriminale. Njëri nga të përfshirët u mor peng dhe tani ndodhet në Gjermani e ka rrëfyer gjithçka. U mor peng dhe ish-zv drejtori i AKSH-it, Daniel Shima. Zv drejtori thirret një ditë dhe i thuhet se je shkarkuar nga detyra. E morën peng, sepse e akuzuan si spiun. Një ditë në mes të Tiranës, persona të veshur policë, e rrethojnë dhe ish-zv drejtori e kupton se çfarë fati do ketë. I çon mesazh nënës apo partneres se nuk e mbaj mend mirë, se po e marrin peng persona me uniforma policie.

Urdhri ishte ta groposnin. Por urdhri ndryshoi, kur e morën vesh se e ka dërguar mesazh tek të afërmit dhe historia tashmë ishte marrë vesh. Por në këtë moment, e torturuan, ia thyen kockat. Ish-zv ministri i AKSHI-t nuk dihet a është gjallë apo jo. Këtu ndodhin çudira. Dy biznesmenët, për të cilat janë lëshuar masa sigurie sot nga SPAK për tenderat tek AKSHI, janë në Dubai. Këto janë rreth i rrezikshëm. Këta bashkëpunonin edhe me bandat”, tha Berisha. /vox