Ndërsa obeziteti po kthehet në një nga sfidat më të mëdha shëndetësore të Europës, Shqipëria mbetet mes vendeve me normat më të ulëta në kontinent.
Në Ballkanin Perëndimor, vetëm Mali i Zi rezulton me një normë më të ulët, 7.8%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina arrin në 15.7%, Maqedonia e Veriut në 15.4% dhe Serbia në 13.6%. Edhe Greqia (12.8%) dhe Rumania (12.9%) renditen pak mbi Shqipërinë.
Në krye të renditjes qëndron Malta, ku më shumë se një në katër të rritur, ose 26.6% e popullsisë, klasifikohet si obeze. Pas saj vijnë Letonia me 24.6%, Islanda me 24.2%, Finlanda me 23.2% dhe Irlanda me 22.1%.
Në anën tjetër të spektrit gjenden Italia me vetëm 7% dhe Mali i Zi me 7.8%, dy vendet me normat më të ulëta të obezitetit në Europë.
Europa po shëndoshet
Të dhënat e Eurostat tregojnë se obeziteti është rritur gradualisht gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2025, rreth 16.3% e të rriturve në Bashkimin Europian ishin obezë, krahasuar me 15.2% në vitin 2014.
Nëse përfshihen edhe personat mbipeshë, pra ata që nuk janë ende obezë por kanë peshë mbi normalen, më shumë se gjysma e popullsisë së rritur në BE rezulton të ketë probleme me peshën trupore.
Ekspertët e lidhin këtë trend me stilin gjithnjë e më sedentar të jetesës, aktivitetin fizik të kufizuar dhe ndryshimet në zakonet ushqimore.
Çfarë mat treguesi i obezitetit?
Treguesi bazohet te Indeksi i Masës Trupore (BMI), i cili llogaritet duke pjesëtuar peshën në kilogramë me katrorin e gjatësisë në metra.
Sipas metodologjisë së Eurostat, një person konsiderohet obez kur BMI-ja është 30 ose më e lartë. Personat me BMI nga 25 deri në 29.9 klasifikohen si mbipeshë, ndërsa kategoria e “mbipeshës” që përdor Eurostat shpesh përfshin si personat mbipeshë ashtu edhe ata obezë.
Të dhënat mblidhen për popullsinë mbi 18 vjeç dhe bazohen në Anketën Europiane të Shëndetit (EHIS) dhe statistikat e të ardhurave dhe kushteve të jetesës (EU-SILC). Monitor




