Redaksia Investigative-Gazeta Jonë
Një operacion i ndërmarrë në pesë qytete të vendit, për të goditur mashtrimet online në platformat e investimeve XEUX dhe TXEX, ka zbuluar se mijëra qytetarë shqiptarë kanë rënë pre e skemës tipike të mashtrimit “Ponzi”.
Ky fenomen, që ka prekur më parë vende europiane dhe Shtetet e Bashkuara, është aq i famshëm sa mbi të janë shkruar edhe romane.
Skema mban emrin e emigrantit italian Charles Ponzi, i lindur në Lugo më 3 mars 1882, i cili u zhvendos në SHBA në vitin 1903.
Në Boston, ai ndërtoi një nga mashtrimet më të njohura financiare të shekullit të kaluar, duke premtuar fitime të shpejta e marramendëse.
Megjithëse përkufizimi modern i skemës u konkretizua më vonë, rastet e para të ngjashme janë regjistruar që në vitet 1869–1872 nga Adele Spitzeder në Gjermani dhe nga Sarah Howe në SHBA në vitet 1880, përmes “Depozitës së Zonjave”, ku gratë mashtruan me norma interesi të rreme.
Ponzi, që në fëmijëri shfaqi sjellje kriminale duke vjedhur nga prindërit dhe priftërinjtë e lagjes, nisi studimet në Universitetin La Sapienza në Romë, por i braktisi pas katër vitesh, i rrënuar financiarisht. Emigrimi në SHBA i dha atij mundësinë për të zhvilluar mashtrimin e madh.
Në vitin 1919, ai nisi të shfrytëzonte “kuponët ndërkombëtarë të përgjigjes postare”, të cilët bliheshin në vende me monedha të dobëta dhe këmbeheshin me pulla në SHBA për fitim.
Ponzi e quajti kompaninë e tij “Stock Exchange Company” dhe nisi të kërkonte investime, duke premtuar fitime të mëdha në pak ditë.
Në realitet, paratë e investitorëve të rinj përdoroheshin për të paguar të vjetrit, pra një skemë klasike Ponzi.
Kur investitorët kërkuan të tërhiqnin fondet, Ponzi nuk ishte në gjendje t’i kthente ato. Në gusht 1920, autoritetet shtetërore dhe federale bastisën zyrat e tij dhe e arrestuan për mashtrim.
Ai u dënua me 5 vite burg dhe pas lirimit u kthye në Itali, ku vazhdoi mashtrimet nën qeverinë e Musolinit. Vdiq në Rio de Zhaneiro më 18 janar 1949, me një pasuri prej vetëm 75 dollarësh.
Skema Ponzi është përshkruar edhe në letërsi, si tek romanet e Charles Dickens “Martin Chuzzlewit” (1844) dhe “Little Dorrit” (1857). Ajo ka frymëzuar libra, filma dhe përdoret në auditorë si shembull i mashtrimit financiar.
Sot, më shumë se një shekull pas famës së Ponzi-t, skema e tij vazhdon të shfaqet në forma moderne, përfshirë edhe në Shqipëri, ku qindra qytetarë humbën kursimet në platformat e rreme online. /gazetajone



