Dy krime të rënda me autorë shqiptarë kanë tronditur Greqinë brenda vetëm katër ditësh. Dy gra u vranë në Nea Smyrni dhe Rodopi, ndërsa të dy autorët rezultojnë me histori të mëparshme akuzash ose denoncimesh për dhunë ndaj grave.
Ngjarja e fundit u regjistrua mesditën e së mërkurës, 26 gusht, në fshatin Dijalampi të Rodopit. Një 53-vjeçar shqiptar vrau me thikë bashkëshorten e tij 44-vjeçare në banesën ku jetonte familja.
Krimi ndodhi në praninë e tre fëmijëve të çiftit, dy prej të cilëve të rritur dhe një vajzë 16-vjeçare. Vajza e madhe telefonoi Policinë duke dhënë alarmin: “Ejani, babai vrau mamanë”.
Gruaja ishte goditur disa herë me dy thika, në qafë dhe në pjesë të tjera të trupit. Njëri prej djemve e dërgoi në Spitalin e Përgjithshëm të Komotinisë, por ajo kishte humbur jetën.
Pas vrasjes, 53-vjeçari u vetëplagos me thikë në bark dhe konsumoi naftë në përpjekje për t’i dhënë fund jetës. Ai u transportua në spital, ku po mbahet nën ruajtjen e Policisë dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje u sekuestruan dy thika.
Sipas mediave greke, çifti ishte ndarë kohët e fundit. Viktima, e cila punonte sezonalisht, ishte kthyer pranë familjes pikërisht për ditëlindjen e vajzës 16-vjeçare.
Familja kishte jetuar më parë në Kretë. Në vitin 2022, gruaja kishte denoncuar bashkëshortin për kërcënim në Heraklion. Ai ishte arrestuar dhe ishte dërguar përpara prokurorit, por disa vite më vonë konflikti përfundoi me vrasjen e saj.
Katër ditë më parë shqiptari vrau 45-vjeçaren dhe më pas veten
Krimi në Rodopi ndodhi vetëm katër ditë pas një tjetër vrasjeje që tronditi Athinën.
Mëngjesin e 23 gushtit, një shqiptar 48-vjeçar i kishte ngritur pritë një bashkatdhetareje 45-vjeçare jashtë pallatit ku ajo jetonte me vajzën e saj 16-vjeçare, në Nea Smyrni.
Pamjet e kamerave treguan autorin duke pritur brenda makinës. Kur gruaja hapi derën e pallatit, ai hyri pas saj, e goditi me shkelma dhe më pas e qëlloi me armë në kokë. Menjëherë pas vrasjes, 48-vjeçari qëlloi edhe veten.
Viktima, e identifikuar nga mediat greke si Julieta, kishte pasur një marrëdhënie me autorin, por kishte vendosur ta ndërpriste për shkak të xhelozisë dhe sjelljes së tij. Ajo i kishte treguar motrës se burri vazhdonte ta ndiqte dhe se kishte frikë prej tij.
Edhe 48-vjeçari rezultonte me një të kaluar problematike. Sipas informacioneve të publikuara në Greqi, ai ishte arrestuar në Tiranë në vitin 2016 dhe ishte akuzuar për përdhunimin e bashkëshortes. Ndaj tij ishte raportuar gjithashtu një çështje për përndjekjen dhe ngacmimin e një gruaje.
Pak përpara krimit, ai i kishte lënë bashkëshortes 1 mijë euro, duke i thënë: “Mbaji që të kesh para”. Më pas ishte nisur drejt banesës së 45-vjeçares, ku kreu vrasjen dhe u vetëvra.
Dy gratë u vranë brenda katër ditësh nga dy burra shqiptarë që më parë kishin shfaqur sjellje të dhunshme ose ishin denoncuar për kërcënime, përdhunim dhe përndjekje. Dy tragjedi që kanë hapur sërish në Greqi debatin për dhunën ndaj grave dhe dështimin për ta ndalur atë përpara se kërcënimet të përfundojnë në vrasje. /gazetajone



