-900-0-1760435111xsmoking-wide-e73e9eed1c534f34b366e22c40b3871302fa4793-133

Të dhënat më të fundit për shpenzimet mujore të familjeve shqiptare tregojnë një tablo domethënëse për mënyrën se si menaxhohen të ardhurat dhe cilat janë prioritetet kryesore në buxhetin familjar.

Nga një total mesatar prej 93 mijë lekësh në muaj, një pjesë e madhe e buxhetit vazhdon të shkojë për pije alkoolike dhe duhan, me 3,914 lekë në muaj për familje. Kjo shumë është dukshëm më e lartë se ajo që dedikohet për arsim apo kulturë dhe argëtim, duke reflektuar një prirje të vazhdueshme drejt shpenzimeve për zakone të dëmshme në vend që për zhvillim arsimor apo kulturor.

Në total, familjet shqiptare, që numërohen rreth 755 mijë sipas Censit të fundit, shpenzojnë për pije alkoolike dhe duhan gati 3 miliardë lekë në muaj, ose rreth 35 miliardë lekë në vit, që përkthehet në afërsisht 350 milionë euro.

Në kontrast, për arsim shpenzohen vetëm 3,081 lekë në muaj, ndërsa për argëtim dhe kulturë edhe më pak – vetëm 2,460 lekë. Këto shifra tregojnë se investimi në formimin intelektual dhe në mirëqenien shpirtërore mbetet i kufizuar, ndërkohë që shpenzimet për duhan dhe alkool vazhdojnë të mbeten të larta.

Edhe kujdesi shëndetësor zë një pjesë të vogël të buxhetit, me vetëm 3,507 lekë në muaj për familje, shumë që vështirë se mund të përballojë kostot reale të barnave dhe shërbimeve mjekësore. Kjo tregon ose një mungesë aksesi ndaj kujdesit shëndetësor cilësor, ose një neglizhencë nga vetë familjet për të investuar në shëndetin e tyre.

Të dhënat përbëjnë një sinjal shqetësues për strukturën e konsumit në vend, duke treguar se familjet shqiptare vijojnë të japin përparësi shpenzimeve afatshkurtra në vend të atyre që ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe cilësor të jetës. /gazetajone