-640-0-screenshot-2026-05-18-225039-1779483431

Skuadrat e sigurisë dhe makinat e blinduara janë pjesë e peizazhit në Kolumbi, një vend i mësuar me dhunën e armatosur. Në këto kushte, mbrojtja personale është shndërruar në një industri mjaft fitimprurëse që po lulëzon çdo dita e më shumë.

Në Facatativá, dy orë larg Bogotas, ndodhet Akademia S.W.A.T. Bodyguards – shkolla më e madhe private e sigurisë në Amerikën Latine. E njohur si “Harvardi i truprojave”, ajo tërheq studentë nga i gjithë rajoni, si Meksika, Ekuadori e Kosta Rika.

Kursantët stërviten intensivisht në qitje, manovra me makina dhe strategji mbrojtjeje. “Askush nuk di më shumë për sigurinë sesa kolumbianët” – e pranojnë studentët e huaj.

Instruktorët – kryesisht policë ose ushtarakë në pension – ndihen krenarë për këtë reputacion. Luis Albeiro García, ish-anëtar i Departamentit Administrativ të Sigurisë (DAS) dhe truprojë e tre ish-presidentëve, shpjegon: “Për mirë a për keq, gjashtëdhjetë vitet e konfliktit të armatosur na stërvitën si askënd tjetër. Pas amerikanëve, ushtria kolumbiane është më e mira”.

Si u bë Kolumbia vendi me më shumë truproja në botë

Kjo është arsyeja pse truprojat kolumbiane kërkohen masivisht jashtë shtetit. Shumë të diplomuar përfundojnë si mercenarë në Sudan, Ukrainë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izrael, duke fituar trefishin e asaj që do të fitonin në vendin e tyre.

Në Kolumbi, ka afro 400.000 njerëz të certifikuar si roje private, duke e tejkaluar me dy herë forcën policore. Të paktën 11.500 truproja janë të kontraktuar nga Njësia Kombëtare e Mbrojtjes (UNP) për të mbrojtur rreth 12.000 zyrtarë, udhëheqës të komunitetit dhe individë në rrezik.

Kjo i kushton qeverisë rreth 705 milionë dollarë në vit. Prania e truprojave është rritur me 400 për qind në dekadën e fundit. Për Hugo Acero-n, ish-sekretar i sigurisë në Bogota, këto shifra janë “skandaloze”.

Ai ankohet se të kesh siguri private është kthyer në një çështje statusi apo prestigji mes klasës së kamur (këngëtarë, biznesmenë, aktorë). “Ti nuk je askushi nëse një burrë i veshur me të zeza nuk të hap derën”- thotë ai, duke shtuar se nëse dikush dëshiron vërtet të të vrasë, skuadrat e sigurisë janë shpesh të kota.

Ndërsa politikanët që nuk përballen me rreziqe reale lëvizin me skuadra të mëdha sigurie, të tjerët mbeten të pambrojtur. Kolumbia mbetet një nga varrezat më të mëdha në botë për këta njerëz.

Industria e sigurisë private është jashtëzakonisht fitimprurëse. Kompanitë tarifojnë shuma të larta, ndërsa akademitë si S.W.A.T. Bodyguards regjistrojnë rritje të studentëve pas çdo incidenti të bujshëm publik.

Politologu Ricardo Amórtegui thotë: “Siguria private është një masë reaktive e cila mban biznese miliona dollarëshe. Por është thjesht një zgjidhje sipërfaqësore”.

Por pavarësisht kritikave, për sa kohë që njerëzit jetojnë në një gjendje alarmi 24 orë në ditë në shtatë ditë të javës, biznesi i sigurisë në Kolumbi do të vazhdojë të lulëzojë, duke u kthyer në pjesë të pandashme të peizazhit të vendit.