ergys-agasi-ermal-beqiri

Ishte muaji mars 2025. Hetimet e SPAK ndaj Ergys Agasit nuk kishin nisur ende, të paktën jo publikisht. Skandali i kontrabandës së cigareve, nga i cili më pas do të zbulohej zinxhiri që çoi te dosja e AKSHI-t, nuk ishte bërë ende publik dhe Agasi, së bashku me grupin e tij, ndiheshin të paprekshëm.

Në atë periudhë, sipas raportimeve mediatike të mëhershme, të cilat më vonë u konfirmuan edhe nga vetë dosja e SPAK, Ergys Agasi kishte nën kontroll kupolën e Policisë së Shtetit, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në pozicione kyçe të institucioneve ligjzbatuese. Ky ndikim do të përdorej jo vetëm për interesa ekonomike dhe tendera publikë, por edhe për të heshtur zërat kritikë në media.

Disa portale, mes tyre edhe Gazeta Jone, ripublikuan një shkrim për tenderët e AKSHI-t, ku në qendër të dyshimeve ishin pikërisht Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Gerond Meçe, Daniel Shima, Mirlinda Karcanaj si edhe persona të lidhur me ta në biznes.

Artikujt trajtonin skema të dyshuara përfitimi, lidhje mes kompanive dhe tregues financiarë të pazakontë, veçanërisht për shoqërinë “EA Solution”.

Sipas verifikimeve të kryera nga redaksia dhe komunikimeve me institucionet, reagimi i grupit ishte i menjëhershëm.

U zgjodh rruga e presionit institucional. Përmes njerëzve të tyrë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, u dërguan shkresa zyrtare drejt Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, me kërkesën për mbylljen e disa domain-eve (adresave) pas sulmeve DDOS me ditë me radhë.

Arsyetimi zyrtar ishte se portalet “publikonin përmbajtje të paligjshme”.

Në të vërtetë, sipas burimeve të redaksisë, përmbajtja e cilësuar si “e paligjshme” kishte të bënte pikërisht me shkrimet që trajtonin Ergys Agasin dhe të dhënat financiare të kompanisë “EA Solution” për vitin 2023, ku rezultonte se kjo shoqëri kishte deklaruar fitime milionëshe pa pasur aktivitet real të dokumentuar.

Nga të njëjtat burime mësohet se përmes kësaj shkrese ishte kërkuar mbyllja e të gjitha domain-eve që kishin publikuar këtë lajm (8 domaine). Mes tyre ishte edhe domain-i gazetajone.com. Të njëjtin fat pati edhe domaini gazetajone.net.

Ky domain vijon sot të mbetet i bllokuar me kërkesë zyrtare të ndonjë zyrtari të Policisë së Shtetit, me sa duket në shërbim të Ergys Agasit.

Si pasojë e këtij veprimi, redaksia u detyrua të ndryshojë domain-in, duke u përballur me një situatë presioni institucional, në një kohë kur strukturat e Policisë së Shtetit, në vend që të garantonin lirinë e shprehjes, ishin vënë në shërbim të interesave të një grupi të caktuar kriminal, sipas dosjes së SPAK.

Në këtë kontekst, lind nevoja për sqarime publike nga drejtues të Policisë së Shtetit.

Në veçanti, pritet një qëndrim lidhur me shkresën me nr. prot. 1693/2, datë 05.03.2025, dërguar nga institucioni drejt AKEP-it, përmes së cilës u kërkua mbyllja e domain-eve të katër portaleve, me argumentin e “përmbajtjes së paligjshme”.

Është në nderin e Ilir Prodës që të zhbëjë këtë paligjshmëri duke zhbllokuar domainet, e bllokuar nga zyrtarë të dyshuar të korruptuar të Policisë së Shtetit në shërbim të grupit të AKSHI-t. 

Sot, pas shpërthimit të skandalit të AKSHI-t dhe publikimit të dosjes së SPAK, e cila ka konfirmuar në thelb raportimet e mëhershme të mediave, mbetet për t’u sqaruar nëse ky veprim do të korrigjohet dhe nëse do të kërkohet zyrtarisht heqja e masave të ndërmarra, duke qenë se nuk ka pasur asnjë përmbajtje të paligjshme, por raportim me interes publik.

Dosja e SPAK ka hedhur dritë mbi mënyrën se si funksiononte rrjeti i ndikimit të Ergys Agasit në institucione të ndryshme të shtetit. Episodi i mbylljes së portaleve para shpërthimit të skandalit të AKSHI-t mbetet një nga shembujt më domethënës të përdorimit të strukturave shtetërore për të heshtur median dhe për të vonuar ekspozimin e një afere që sot është objekt hetimi penal. /gazetajone.com