balluku bashkim uilaj

Ndërtimi dhe operimi i Autostradës Thumanë–Kashar mbetet një nga koncesionet më të diskutuara të viteve të fundit, për shkak të procedurave të ndjekura, ndryshimeve të kontratës dhe rritjes së ndjeshme të kostos financiare për buxhetin e shtetit dhe përdoruesit e rrugës.

Projekti nisi në vitin 2018, kur kompania Gener 2, në pronësi të Bashkim Ulajt, paraqiti një ofertë të pakërkuar, e cila përfitoi pikë bonus dhe më pas u shpall fituese e koncesionit. Megjithatë, kontrata përfundimtare nuk u nënshkrua fillimisht nga Ministria e Infrastrukturës, çka çoi palët në Gjykatën Administrative të Apelit. Vendimi i Apelit u përdor më pas si bazë për lidhjen e kontratës, pa u ndjekur rruga e rekursit në Gjykatën e Lartë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u shmang përgjegjësia institucionale për firmosjen.

Sipas dokumenteve zyrtare, kostoja fillestare e ndërtimit të veprës parashikohej rreth 270 milionë euro. Më pas, përmes vendimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Infrastrukturës, kjo vlerë u rrit në rreth 330 milionë euro, ose 60 milionë euro më shumë se projekti fillestar. Paralelisht, kohëzgjatja e koncesionit u zgjerua nga 13 në 35 vite, çka, sipas vlerësimeve paraprake, mund t’i sjellë koncesionarit të ardhura totale rreth 1.3 miliardë euro gjatë gjithë periudhës.

Pavarësisht fluksit të lartë financiar nga tarifat e kalimit, të dhënat e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se shoqëria koncesionare G2 Infra ka publikuar bilance të kufizuara. Për vitet 2022 dhe 2023, kompania ka deklaruar fitime minimale, ndërsa bilancet për vitet 2024 dhe 2025 nuk rezultojnë të publikuara, në kundërshtim me detyrimet ligjore për raportim financiar.

Edhe kompania mëmë Gener 2, e cila operon në disa sektorë përmes koncesioneve dhe kontratave publike, ka raportuar fitime relativisht të ulëta krahasuar me përmasat e aktivitetit. Për vitin 2024, fitimi i deklaruar arrin rreth 431 milionë lekë, ndërsa për vitin 2023 rreth 301 milionë lekë. Ndërkohë, kapitali i shoqërisë është rritur ndjeshëm, duke arritur në rreth 120 milionë euro, pas kontributeve në natyrë.

Në muajin tetor 2025, drejtues të Prokurorisë së Posaçme kanë konfirmuar publikisht se çështja e koncesionit Thumanë–Kashar është në proces verifikimi, pa dhënë detaje të mëtejshme. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dosja e plotë e koncesionit është administruar nga SPAK dhe janë marrë në pyetje persona që kanë firmosur apo kanë qenë të përfshirë në ndryshimin e kushteve kontraktore.

Dyshimet kryesore lidhen me fryrjen e kostove, zgjatjen e afatit të koncesionit dhe krijimin e avantazheve të padrejta për koncesionarin, në dëm të interesit publik dhe në kundërshtim me parimet e prokurimit publik. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse këto veprime ose mosveprime përbëjnë shkelje penale dhe përgjegjësi individuale të funksionarëve të përfshirë. /gazetajone