Aldo Avdylit i është komunikuar këtë të premte mbyllja e hetimeve për dosjen “Revanshi”, dhe materialet tashmë pritet ti kalojnë GJKKO-së me kërkesën për gjykim.
Ndërkohë që prej korrikut të këtij viti, GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen ‘Revanshi’, ku të pandehur janë marrë 14 persona, të akuzuar për një sërë veprash të rënda penale por për Aldo Avdylin për shkak të arrestimit të mëvonshën, gjykimi pritet të bëhet veç.
Prokuroria e Posaçme thotë se për të ekzekutuar Durim Bamin, një të shumëkërkuar tashmë për drejtësinë, për llogari të Arben Nokës që e akuzonte për vrasjen e të vëllait, bashkëpunuan disa persona mes të cilëve anëtarë të familjes Avdyli, Ervis Martinaj etj.
Avdyli ka masë sigurie “arrest në burg” edhe për vrasjen e Edmir Bregut më 21 janar të vitit 2021 në Durrës.
Sipas SPAK, Avdyli ishte drejtues dhe koordinator i grupit kriminal, ndihmës në krim ishte Enea Kume, ndërsa ekzekutor Alfred Doka.
Vrasja e Bregut thotë organi i akuzës u krye me porosi të Astrit Avdylit në shenjë hakmarrjeje, pasi më herët viktima kishte tentuar të vriste nipin e tij Aldo Avdylin.
Në lidhje me këtë çështje, Aldo Avdyli akuzohet për “vrasje me paramendim”, kryer për hakmarrje, “kryerje të veprave nga organizata kriminale” dhe “grupi i strukturuar kriminal”.



