-1000-0-2381ca29-02c6-4f4f-b77c-f3a5607fc572-6a5885926f7b3

Një skandal me fondet e destinuara për pensionet dhe ndihmat sociale ka çuar në pranga ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, shefen e Financës dhe llogaritaren e institucionit. Tre zyrtaret dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj, ose rreth 690 mijë euro, para që ishin planifikuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e Shijakut dhe Krujës.

Sipas Policisë, në pranga janë vënë Elisabeta Mataj, 41 vjeçe, ish-drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës, V. D., 59 vjeçe, me detyrë shefe e Financës në këtë filial, si dhe P. D., 39 vjeçe, me detyrë arkëtare/llogaritare.

Tre të arrestuarat akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet rezulton se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, ato dyshohet se kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj (rreth 690 mijë euro), e cila duhej të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Burime bëjnë me dije se Elisabeta Mataj ishte shkarkuar nga detyra vetëm dy ditë më parë, përpara se ndaj saj të ekzekutohej masa e arrestit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë mekanizmin e dyshuar të përvetësimit të fondeve dhe për të verifikuar nëse në këtë skemë janë të përfshirë edhe persona të tjerë.