durres yacht marina

Projekti i Marinës së Durrësit po përballet me pikëpyetje të reja pas konfirmimit se dy nga godinat e parashikuara në këtë zonë kanë pësuar ulje të ndjeshme në terren. Rasti ka rikthyer debatin mbi cilësinë e studimeve, zbatimin e punimeve dhe përgjegjësitë institucionale për një nga projektet më të mëdha të ndërtimit në vend.

Sipas dokumenteve të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, projekti për disa godina banimi dhe shërbimi në zonën e Marinës së Durrësit është ndryshuar gjatë ndërtimit. Vendimi është marrë në mbledhjen e datës 25 shtator 2025 dhe është zbardhur në fund të muajit dhjetor të të njëjtit vit.

Në dokument thuhet se KKTU, me propozim të subjektit zhvillues “Durrës Marina” sh.a., ka miratuar ndryshimin e projektit gjatë ndërtimit për objektin “godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë, me 1 kat parkim nëntokë”, si dhe për një tjetër godinë banimi dhe shërbimi me parkim, me 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat parkim nëntokë.

Vendimi nuk specifikon qartë se çfarë është ndryshuar në projekt, nëse bëhet fjalë për kuota, lartësi, thellësi, strukturë apo elementë të tjerë teknikë. Kjo ka shtuar dyshimet se ndryshimet mund të lidhen me problematikat e konstatuara në terren, ku dy godina kanë shfaqur shenja fundosjeje.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka konfirmuar më herët se njëra prej godinave ka pësuar ulje me 28 centimetra, ndërsa tjetra me 18 centimetra. Këto të dhëna ngrenë shqetësime për sigurinë e strukturave, mënyrën e zbatimit të punimeve dhe cilësinë e studimit gjeoteknik në një zonë të ndjeshme si ish-Porti i Durrësit.

Leja fillestare e ndërtimit për projektin është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit në gusht të vitit 2023. Në këtë leje parashikohej ndërtimi i dy godinave në formë U-je, njëra me 8 kate dhe tjetra me 10 kate, së bashku me parametrat përkatës urbanistikë dhe teknikë.

Punimet në zonën e Marinës së Durrësit po kryhen nga kompani vendase të kontraktuara nga subjekti zhvillues. Sipas të dhënave të bëra publike, ndër kompanitë që kanë punuar në këtë territor përmenden “Elmazaj Konstruksion” dhe “Salillari”. Për dy godinat ku është konstatuar fundosja, punimet janë lidhur me kompaninë “Elmazaj Konstruksion”.

Ndërkohë, projekti është hartuar nga “X Plan Studio”, kompani e themeluar në vitin 2010, e cila ushtron aktivitet në projektim, zbatim, rikonstruksion, mbikëqyrje dhe kolaudim punimesh ndërtimi.

Rasti ngre një seri pyetjesh mbi zinxhirin e përgjegjësisë, nga investitori dhe zhvilluesi i projektit, te projektuesit, zbatuesit e punimeve, mbikëqyrësit dhe institucionet që kanë miratuar lejet. Nëse dy godinat kanë pësuar ulje të tilla në fazë ndërtimi, mbetet për t’u sqaruar nëse janë kryer të gjitha studimet e nevojshme për qëndrueshmërinë e terrenit dhe nëse ndryshimi i projektit ka ardhur si pasojë e problematikave të konstatuara.

Marina e Durrësit u prezantua si një projekt transformues për qytetin dhe për bregdetin shqiptar, por zhvillimet e fundit kanë hapur një debat të fortë mbi sigurinë e ndërtimit, transparencën e vendimmarrjes dhe kontrollin e institucioneve mbi një territor ku po zhvendoset funksioni historik i portit më të madh të vendit.