-640-0-andi-tela-mondi-mehalla-141

Analisti Andi Tela, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, tregoi se çfarë ndodhte mbrëmë në rrugën Elbasan-Librazhd ku mendohet se ka kaluar makina e personit që ekzekutoi biznesmenin Mondi Mëhalla në periferi të Elbasanit. Tela tha se si në rastin e atentatit të Rinasit, edhe në Elbasan nuk kishte asnjë polic në rrugë para se të ndodhte vrasja.

“Vendi ku ka ndodhur vrasja është në hyrje të qytetit të Elbasanit, kur vjen nga Librazhdi. Nga fshati Dragostunjë matanë Librazhit dhe deri te ky vendi këtu janë 27 kilometra dhe mes orës 19-20 të mbrëmjes që e kam bërë unë këtu, kanë qenë 27 kilometra trafik, me makina që lëviznin me pesë kilometra në orë.

Vrasja ka ndodhur pak më vonë, por ky trafik ka vazhduar shumë, sepse gjithë makinat që kishin qenë në Korçë, në Greqi, po ktheheshin.

Nga ai moment e deri në hyrje të Elbasanit, unë nuk kam parë një polic rrugor që të rregullojë trafikun. Pra, në 27 kilometra trafik ti nuk sheh një polic rrugor, një makinë policie rrugore që thjesht të mirëmbajë trafikun, sepse njerëzit fillojnë bëjnë parakalime, bllokojnë rrugën.

Dhe në këtë pikëpamje, duke mos pasur asnjë polic, as këtu te kryqëzimi, për të rregulluar trafikun, mënyra si ka ndodhur, vendi ku ka ndodhur, autori duhet të kishte një garanci absolute që do ecte 6 kilometra dhe s’do kishte makinë policie t’i dilte përballë, s’do të pengohej kurrë.

Atmosfera ku ndodh vrasja është pak a shumë e njëjta gjë si tek kryqëzimi i Rinasit. Edhe atje kishim të njëjtën skemë, pra s’kishte policë.”- tha Tela.