balluku bashkim uilaj

SPAK urdhëron ditët e fundit kontrolle të familjarëve të Belinda Ballukut, bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë, banesave, zyrave dhe shoqërive tregtare.

“Rruga Ura Asfaltim nr. 2 Elbasan” është një nga kompanitë që u kontrollua nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët mësohet se kanë marrë nga zyrat e saj kompjutera.

Kujtim Hasa, që zotëron 100 për qind të aksioneve të kësaj kompanie, dyshohet se është lidhje e afërt familjare e ish-sekretares së Përgjithshme të Ministrisë, Viola Haxhiademi, dhe dyshohet se në mënyrë indirekte është i lidhur edhe me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

Kjo e fundit po hetohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, që lidhen me procedurat prokuruese të rrugëve në vlera miliona euro.

Referuar Open Data, rezulton se Kujtim Hasa zotëron edhe disa kompani të tjera, siç janë TV Skampa, ku ka 33.3 për qind të aksioneve; ASK Security me 50 për qind të aksioneve; Era Digital me 16 për qind aksionesh, si dhe Reelit me 80 për qind të aksioneve. Ditët e fundit janë ushtruar kontrolle edhe në disa kompani të tjera, si edhe Atelier 4, si dhe dy vila në një kompleks rezidencial në jug të vendit. /vna.al