Ergys Agasi, një prej personave të shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është arrestuar ditën e sotme, 26 gusht, në Durrës.
Forcat Operacionale i kanë vënë prangat në zonën e Plepave, teksa ka qenë duke udhëtuar me automjet.
Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga Uljan Shpataraku, ish-drejtues në Policinë e Shtetit, i njohur si krahu i djathtë i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Burime mediatike bëjnë të ditur se gjithashtu është shoqëruar nga policia edhe Uljan Shpataraku pasi ishte person i shpallur në kërkim.

Akuzat ndaj Agasit
Ergys Agasi, sëbashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë janë nën hetim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që manipulonte tenderët publikë.
Biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj janë të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe ‘manipulim me tenderët’ e ASHKI-t.
Agasi dhe Beqiraj, akuzohen gjithashtu se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.
Konkretisht, Ergys Agasi dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
Ergys Agasit i janë sekuestruar 29 pasuri të paluajtshme, përfshirë apartamente, vila dhe sipërfaqe toke në zona të ndryshme të Tiranës dhe Durrësit. Po ashtu, ndaj tij janë bllokuar shtatë llogari bankare, si dhe kompania “AE SOLUTION”.
Kujtojmë se Ermal Beqiri u arrestua pak kohë më parë në Francë, teksa po udhëtonte me avionin e tij privat mbi një central bërthamor.
Po ashtu, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj u vendos nën masën e “arrestit shtëpisë”, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në ‘detyrim paraqitje’ për shkak të shtatzënisë.



