igli-tre-ne-spak-850x450

SPAK ka sekuestruar një vilë të regjistruar në emër të ish-futbollistit dhe ish-drejtuesit sportiv Igli Tare, në kuadër të hetimeve që lidhen me zv.kryeministren Belinda Balluku dhe një procedurë tenderuese të zhvilluar në kohën kur ajo drejtonte Albcontrol.

Sipas të dhënave të deritanishme, çështja lidhet me një pronë të ndodhur në një kompleks të ndërtuar nga biznesmeni Pandeli Carapuli.

Burime të njohura me çështjen bëjnë me dije se Igli Tare e ka blerë vilën në vitin 2018, me kontratë noteriale dhe përmes llogarisë bankare.

Po ashtu mësohet se Tare dhe Balluku njihen prej kohësh, ndërsa familjet e tyre kanë marrëdhënie miqësore dhe frekuentohen shpesh.

Pikërisht ky element duket se është një nga nyjet ku mbështetet leximi i hetuesve, por edhe një nga pikat që ngre më shumë pikëpyetje.

Nëse marrëdhënia mes familjeve ka qenë e njohur dhe jo e fshehtë, mbetet për t’u parë se çfarë provash konkrete do të paraqiten për të lidhur pronën me një përfitim të paligjshëm.

Një tjetër element që kërkon sqarim është vetë rruga e ndjekur për pronën.

Vila rezulton e blerë nga një personazh publik si Igli Tare, me ekspozim të lartë mediatik dhe me aktivitet të njohur ndërkombëtarisht.

Për këtë arsye, hetimi duhet të provojë jo vetëm ekzistencën e marrëdhënieve mes palëve, por edhe arsyen pse një pasuri që pretendohet si e fshehur do të fshihej në emër të një figure kaq të dukshme publike dhe jo përshembull në emër të vetë ndërtuesit nëse qëllimi do të ishte fshehja?

Në qendër të çështjes është edhe procedura e Albcontrol, e cila, sipas burimeve, i përket vitit 2014.

Kjo e vendos hetimin përballë një tjetër debati juridik, pasi bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur rreth 12 vite më parë. Juristët shprehen se një vepër e tillë është parashkruar, gjë e cila në gjykatë do të rrëzonte komplet akuzën.

Mbetet për t’u parë nëse akuza do ta lidhë rastin me vepra që nuk preken nga afatet e parashkrimit, apo nëse ky element do të kthehet në një nga pikat kryesore të mbrojtjes.

Deri në këtë fazë, sekuestrimi është një masë procedurale dhe nuk përbën provë fajësie, ashtu siç dhe vetë SPAK shprehet në njoftim.