Një 31 vjeçar, Neldi Hallulli u arrestua në Kavajë pasi dyshohet se mori një kallashnikov për të vrarë 38-vjeçarin Indrit Rama, me të cilin ishte konfliktuar më herët.
Policia ndërhyri pas informacionit për sherrin dhe e kapi Hallullin teksa mbante kallashnikovin me vete, duke parandaluar vrasjen.
Arma dhe municioni u sekuestruan.
Ndërkohë, nën hetim në gjendje të lirë u vendos, Indrit Rama.
Ky i fundit akuzohet për “dëmtime të tjera me dashje” pasi qëlloi me grushte 31-vjeçarin.
“Pas marrjes së informacionit në rrugë operative se në zonën e Spillesë, Rrogozhinë, po ndodhte një konflikt, shërbimet e Policisë u organizuan dhe ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Postës së Policisë Rrogozhinë, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit N. H. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, ky shtetas mbante një armë zjarri, “Kallashnikov”.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi N. H. kishte pasur një konflikt me shtetasin I. R. dhe, në vijim të konfliktit, dyshohet se kishte qëllim ta vriste atë.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, duke shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe pasojat e rënda për jetën e 38-vjeçarit.
Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe shtetasi I. R., për “Dëmtime të tjera me dashje”, sepse ka goditur me grushte shtetasin N. H., duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore”, njofton Policia e Durrësit.



