Për më shumë se dy dekada, “Gropa e Hajdin Sejdisë” ishte një nga plagët më të dukshme urbane të Tiranës.
E vendosur në zemër të kryeqytetit, pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, ajo u kthye në metaforë të tranzicionit shqiptar: një projekt i nisur, i bllokuar, i braktisur dhe i mbuluar nga polemika të pafundme.
Edhe pasi u sistemua si hapësirë publike në vitin 2011, historia e saj nuk mori fund. Përkundrazi, duket se “tersi” i kësaj parcele vazhdon të ndjekë çdo projekt që lidhet me të.
Në vitet e fundit, në vend të gropës u prezantua projekti ambicioz “Mali i Tiranës”, një kullë gjigante që synonte të ndryshonte horizontin e kryeqytetit.
Por sot, ndërsa projekti është sërish në fazë grope, emri i ndërtuesit kryesor të tij, biznesmenit Ilir Shtufi, është shfaqur në një hetim të SPAK-ut për trafik droge dhe pastrim parash.
Nga “gropa” te kulla 65-katëshe
“Mali i Tiranës” ishte konceptuar si një nga ndërtesat më të larta në Shqipëri, me rreth 65 kate dhe afro 185 metra lartësi.
Projekti lidhej me kompaninë Nova Construction 2012, ku aksioneri kryesor rezulton Ilir Shtufi. Vetë projekti ka qenë objekt kritikash politike dhe urbanistike që prej prezantimit.
Kundërshtarët e kanë konsideruar simbol të betonizimit të qendrës së Tiranës dhe një shembull të modelit të zhvillimit që favorizon interesat e mëdha ekonomike mbi interesin publik.
Por pas arrestimit të biznesmenit, Ilir Shtufi, debati urbanistik është zëvendësuar nga një pyetje shumë e rëndësishme: Çfarë do ndodhë me “Gropën e Hajdin Sejdisë” që do bëhej “Mali i Tiranës”, kur biznesmeni i tij përfundon në “lupën” e SPAK?
SPAK dhe “hija” e hetimeve
Më 12 qershor 2026, SPAK njoftoi masa sigurie në kuadër të një operacioni kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Mes personave për të cilët u raportuan masa sigurie ishte edhe biznesmeni Ilir Shtufi, ky i fundit u arrestua në Greqi.
Hetimi lidhet me dyshime për aktivitete kriminale dhe pastrim kapitalesh, ky nuk është kontakti i parë i emrit të Shtufit me SPAK-un.
Gjatë muajve të fundit, ai është përmendur edhe në hetime që lidhen me procedura tenderimi dhe projekte infrastrukturore, ku janë kryer kontrolle dhe verifikime ndaj kompanive të përfshira.
Mallkimi i truallit të njohur si “gropa e Hajdin Sejdisë”?
Lulishtja prapa Pallatit të Kulturës për shumë e shumë vite, sidomos gjatë periudhës së komunizmit, ka qenë një vend shlodhës për qytetarët e Tiranës, e mbushur me gjelbërim dhe pemë të ndryshme. Brenda tij ka qenë edhe MAPO e madhe veshëmbathjeve, ndërkohë që rrotull ka pasur shtëpi tipike tiranase.
Në fillim të viteve ’90, ky vend mori një emër të shëmtuar, “gropa e Ajdin Sejdisë”, një gropë që përmblidhte brenda saj pisllëkun e natyrës dhe të njerëzve që e “frekuentonin” atë vend.
Në vitin 1991, biznesmeni nga Peja dhe me banim në Zvicër, Hajdin Sejdia, iu afrua ngushtësisht qeverisë së parë të Fatos Nanos, asaj të Tranzicionit, të krijuar pas rrëzimit të “Byrosë Politike” komuniste.
Kompania “Iliria Holding” e Sejdisë mori të drejtën nga qeveria “Nano” për të ndërtuar një godinë gjigande 50-katëshe në lulishten pas Teatrit të Operas.
Për arsye që janë mbuluar nga vitet, Sejdia arriti të hapë vetëm një gropë gjigande, ndërkohë që godina mbeti në letër.
Për shkak të problemeve me pronësinë, për gati dy dekada, qeveritë dhe bashkitë nuk arritën ta mbyllin “gropën e Ajdin Sejdisë”.
Në vitin 2012, kryetari i Bashkisë së Tiranës së kohës, Lulzim Basha, nisi projektin për shndërrimin e “gropës” në lulishte. Në prezantimin e projektit, Basha deklaroi në atë kohë se do të kompensoheshin pronarët dhe hapësira e gjelbër do të ishte në funksion të qytetarëve.
Për 10 vitet pasuese, deri në vitin 2022, zona pas Teatrit të Operas qëndroi një lulishte e madhe, pranë qendrës së Tiranës.
Kjo, deri në Tetor të vitit 2022.
Historia e kësaj parcele duket sikur përsërit vetveten. Fillimisht u bë simbol i dështimeve të tranzicionit.
Më pas u shndërrua në simbol të ambicieve të reja urbanistike. Sot, emri i saj lidhet me një dosje që përfshin akuza për trafik narkotikësh dhe pastrim parash.
Pikëpyetje për ‘gropën’ e cila nuk po bëhet kurrë ‘mal’
Çështja “Mali i Tiranës” nuk është më vetëm një debat arkitekturor apo urbanistik.
Ajo prek disa prej temave më të ndjeshme të Shqipërisë së sotme: marrëdhënien mes biznesit dhe politikës, transparencën e kapitalit në sektorin e ndërtimit dhe aftësinë e institucioneve për të hetuar projekte me ndikim të madh ekonomik.
Ndërsa SPAK vijon hetimet dhe drejtësia pritet të japë përgjigjet e saj, një gjë mbetet e qartë: trualli i njohur prej dekadash si “Gropa e Hajdin Sejdisë” vazhdon të prodhojë histori që shkojnë shumë përtej betonit dhe kullave.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron “tersi” i vërtetë i saj, fakti se çdo projekt që ngrihet mbi atë tokë duket se trashëgon edhe hijet e së shkuarës.



