Shfrytëzimi i pasurive nëntokësore mbetet një nga plagët më të mëdha të tranzicionit shqiptar. Për 35 vite me radhë, nafta, kromi, hekuri e metalet e tjera janë dhënë me koncesione tek kompani me të kaluar të dyshimtë, të cilat kanë mbushur xhepat e tyre e më pas janë larguar, duke lënë pas humbje për shtetin dhe qytetarët.
Pas hetimeve të cunguar për fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, ku u evidentuan abuzime nga kompania Bankers, një tjetër skandal po përshkallëzohet me kromin e Bulqizës. Aktualisht i administruar nga firma turke Albchrome, ky sektor jetik për ekonominë shqiptare po përballet me akuza të forta për menaxhim abuziv dhe bilance të manipuluara.
Sipas dokumenteve të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Albchrome deklaroi një humbje prej 720 mijë eurosh në vitin 2024, pavarësisht se menaxhon një nga pasuritë më të mëdha të vendit. Raportime investigative zbulojnë se kompania përdorte dy bilance, duke fryrë kostot, duke paguar nënkontraktorë të lidhur me drejtuesit dhe duke nxjerrë bilance artificialisht me humbje, një skemë e ngjashme me atë të përdorur më parë nga Bankers.

Në të njëjtën kohë, firma ka kryer ndryshime të shumta në strukturën drejtuese, pas akuzave për keqmenaxhim.
Janë larguar administratorë si Cemil Acar dhe Sokol Sinani, ndërsa janë emëruar drejtues të rinj, mes tyre Teuta Üstündag, Zeynep Erbeyler dhe Erjon Duraj. Burime tregojnë se këto lëvizje janë pjesë e një “gjuetie shtrigash” të brendshme për të fshehur abuzimet dhe faturat fiktive.
Ndërkohë, pyetjet kryesore mbeten pa përgjigje: ku shkojnë paratë e kromit në Bulqizë, pse kompanitë vazhdojnë të mbajnë miniera që deklarohen me humbje dhe përse institucionet kontrolluese e ligjzbatuese nuk veprojnë?
Në çdo vend të botës, minierat gjenerojnë të ardhura për shtetin, punëtorët dhe komunitetin. Në Shqipëri, bilancet dalin “me humbje”, ndërsa përfitimet përfundojnë në duart e pak personave. Heshtja e institucioneve e bën këtë situatë edhe më alarmante, duke e shndërruar menaxhimin e pasurive minerare në një nga skandalet më të rënda ekonomike të vendit. /gazetajone



