Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kërkuar konfiskimin e pasurive të shtetasit Ilber Domi, i cili është arrestuar nga autoritetet gjermane për “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Ilber Domi ishte shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbaden në Gjermani, për veprat penale të “Trafikut të lëndëve narkotike” si dhe “Mbajtjes dhe shitjes së armëve luftarake dhe municioneve”.
Sipas urdhrit të kërkimit ndërkombëtar, evidentohet përfshirja e shtetasit Ilber Domi në disa episode të shitblerjes së lëndëve narkotike, aktivitet i cili dyshohet se ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon konfiskimin e pasurive të shtetasit I.D., i arrestuar nga autoritetet gjermane për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin pasuror nr.01 të vitit 2025, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur më parë në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden/Gjermani për veprat penale ‘Trafik i lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve’ parashikuar nga Kodi Penal Gjerman.
Nga të dhënat rezultoi se kjo veprimtari kriminale është ushtruar gjatë viteve 2019–2020, periudhë e mëparshme në kohë krahasuar me kryerjen e investimeve për blerje pasurie të paluajtshme.
Referuar urdhrit të kërkimit ndërkombëtar, evidentohet përfshirja e subjektit në disa episode të shitblerjes së lëndëve narkotike, veprimtari kjo që ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare.
Në analizën financiare të detajuar vërehet se vlera totale e të ardhurave të faktuara të shtetasit I.D. dhe familjarëve të tij është më e vogël se vlera totale e investimeve dhe shpenzimeve vetjake të kryera nga ky shtetas dhe familjarët e tij dhe dyshohet se vjen nga veprimtaria kriminale.
Sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, arriti në përfundimin se shtetasi I.D. dhe familjarët e tij janë në pamundësi financiare për kryerjen e investimeve në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme për të cilat kërkon konfiskimin si më poshtë:
– Pasuria e paluajtshme lloji “arë”, me sip 850 m2 ndodhur në Zall Herr Tiranë;
– Pasuria “njësi”, me sipërfaqe bruto 98.8m2; si dhe
– 2 “poste parkimi”, ndërtuar sipas lejes së ndërtimit për objektin 1-2-9 kate+1kat nën tokë, në rrugën ‘Bulevardi Blu-Kamëz’.
Kush është 36-vjeçari Ilber Domi ‘koka’ e trafikut të drogës?
Pjesë e këtij rrjeti të trafikut të drogës janë Edmond, Ernest dhe Ilber Domi, të njohur nga autoritetet gjermane si trafikantë të lëndëve narkotike dhe bazën e kanë kryesisht në qytetin e Kielit.
Ata krijuan në Gjermani një biznes të vogël, i cili shërbeu si kamuflim për shitjen dhe trafikimin e drogës.
Nga dokumentet hetimore në Gjermani, rezulton se anëtar kryesor i këtij grupi ishte Ilber Domi, 36 vjeç, i cili mundi të largohej nga atje dhe të vinte në vendlindje.
Pjesë e grupit në fjalë, janë edhe vëllai i Ilber Domit, Edmond Domi, 41 vjeç dhe Ernest Domi, 40 vjeç.
Edmond Domi u akuzua në vitin 2022 për shpërndarje droge në një gjyq në Kiel të Gjermanisë, por u lirua pasi prokurorët atje nuk mundën ta provonin.
Megjithatë, edhe Edmondi, sapo u lirua nga burgu, la Gjermaninë dhe u kthye në atdhe.
I madh në biznesin e drogës është edhe Ernest Domi.
Ai u kap në nëntor të vitit 2020 përmes hackerimit të aplikacionit “SkyECC” nga autoritetet francezë dhe në biseda iu zbulua se mundi të fitojë 1,5 milionë euro me 20 kg kokainë dhe 267 kg kanabis sativa.
Ai është i arrestuar, ndërsa dyshimet e autoriteteve gjermane janë se lëndën narkotike që e shiste në zona të Hamburgut, Q. D., autori i vrasjes së Reols Hysnelit, e merrte nga anëtarë të grupit të trafikimit të lëndës narkotike të Domëve.


