waste-768x512-1767862971

Shqipëria ka siguruar së fundmi një paketë të konsiderueshme financimi evropian për sektorin e mjedisit, me 124 milionë euro grante të dedikuara për projekte infrastrukturore në Durrës, Lezhë dhe Sarandë. Fondet synojnë ndërhyrje në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura dhe në rrjetet e kanalizimeve, veçanërisht në zona urbane me ngarkesë të lartë banimi dhe turizmi.

Projektet parashikojnë zgjerimin dhe modernizimin e impianteve në Lezhë dhe Sarandë, si edhe përmirësime të thella në impiantin e Durrësit. Paralelisht, do të rehabilitohet rrjeti i kanalizimeve në zonën historike të Durrësit, me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë urbane dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për banorët dhe vizitorët.

Sipas institucioneve përgjegjëse, këto ndërhyrje pritet të reduktojnë ndotjen urbane dhe presionin mbi ekosistemet bregdetare, sidomos në qytete që përballen me flukse të larta sezonale. Megjithatë, zhvillimet e fundit në terren tregojnë një realitet më problematik.

Përmbytjet e përsëritura në Durrës dhe Lezhë, të shfaqura edhe pas reshjeve të fundit, kanë rikthyer në vëmendje një problem të vjetër. Infrastruktura urbane rezulton e paaftë të përballojë vëllimet e ujit, pavarësisht investimeve të shumta të viteve të fundit. Kjo tregon se sfida nuk lidhet vetëm me mungesën e fondeve, por me mënyrën se si ato planifikohen, zbatohen dhe mirëmbahen.

Në qytete me zhvillim të shpejtë urban dhe presion të lartë ndërtimi, si Durrësi dhe Lezha, sistemet ekzistuese të kanalizimeve kanë dalë jashtë kapaciteteve. Problemi është thelluar edhe nga ndryshimet klimatike, por edhe nga mungesa e koordinimit institucional, projektimi i dobët dhe kontrolli i pamjaftueshëm territorial.

Eksperienca e deritanishme tregon se financimet e mëdha nuk sjellin automatikisht zgjidhje. Pa plane urbane të qarta, standarde teknike të forta dhe transparencë në zbatim, investimet rrezikojnë të mbeten ndërhyrje të copëzuara, pa ndikim afatgjatë.

Në këtë kontekst, sfida reale për Durrësin, Lezhën dhe qytetet e tjera nuk është më sigurimi i fondeve, pasi ato tashmë janë në dispozicion. Sfida është shndërrimi i këtyre parave në infrastrukturë funksionale dhe të qëndrueshme, që i reziston kohës, urbanizimit dhe kushteve ekstreme të motit. Në të kundërt, përmbytjet do të vazhdojnë të jenë pasqyra më e qartë e hendekut mes financimeve të akorduara dhe rezultateve që ndjejnë realisht qytetarët. /GAZETAJONE