Një pallat i përfunduar vetëm pak muaj më parë u përfshi nga flakët në Tiranë, në zonën e njohur si “Farmacia 10”, përballë QSUT, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve dhe duke rikthyer në vëmendje një problem më të thellë: cilësinë reale të ndërtimeve të reja në kryeqytet.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka nisur në katin e parë dhe është përhapur me shpejtësi në fasadën e godinës. Dinamika e përhapjes së flakëve ka ngritur dyshime të forta mbi materialet e përdorura, pasi trajektorja e zjarrit është tipike për struktura që përdorin elementë të djegshëm në veshjen e jashtme.
Objekti është ndërtuar nga kompania ARLIS NDËRTIM, në Rrugën 5 Maji, Njësia Administrative nr. 4. Dyshimet kryesore lidhen me fazën e realizimit të fasadës së ventiluar, ku, për të ulur kostot, mund të jetë shmangur përdorimi i leshit të gurit, një material standard rezistent ndaj zjarrit, duke u zëvendësuar me shkumë mbushëse “PU Foam”, e njohur për përbërjen e saj të djegshme me bazë derivate nafte.
Kjo zgjedhje teknike dyshohet se ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, duke e kthyer një vatër të lokalizuar në një rrezik për të gjithë strukturën. Rasti nuk është i izoluar. Rreth katër vite më parë, një tjetër kompleks në Tiranë, Square 21, u përfshi nga zjarri në katet e sipërme, gjithashtu i ndërtuar nga e njëjta kompani.
Përsëritja e episodeve të tilla krijon një model që kërkon verifikim të thelluar institucional, sidomos në një treg ku apartamentet shiten me çmime të larta dhe pritet të garantojnë standarde minimale sigurie.
Kompania ARLIS NDËRTIM është në pronësi të biznesmenit Armand Lilo, i cili në vitet e fundit është konsoliduar si një nga përfituesit kryesorë të lejeve të ndërtimit në Tiranë. Megjithatë, përmasat e aktivitetit nuk janë shoqëruar gjithmonë me një histori pa probleme.
Përveç rasteve të zjarreve, kompania është përballur edhe me akuza për shkelje të lejeve të ndërtimit. Një ndër rastet më të diskutuara lidhet me kullën “The Eyes of Tirana”, ku dyshohet për shtim të kateve pa leje në kundërshtim me projektin e miratuar, çështje që ka tërhequr vëmendjen e organeve hetimore.
Problematikat shtrihen edhe përtej cilësisë së ndërtimit. Në një tjetër rast, në kullën “Corner Residence” në bulevardin “Gjergj Fishta”, rrëzimi i një skelë metalike nga një kantier ndërtimi plagosi dy kalimtarë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në kantier.
Pavarësisht këtij zinxhiri incidentesh dhe dyshimesh, aktiviteti i kompanisë vijon pa pengesa të dukshme. Projekti më i fundit parashikon ndërtimin e një kompleksi me pesë kulla pranë digës së Liqenit Artificial, një nga zonat më të ndjeshme urbane në kryeqytet.
Ngjarja e sotme nuk është thjesht një incident. Ajo nxjerr në pah një problem strukturor: zhvillimi i shpejtë urban nuk po shoqërohet me të njëjtin ritëm kontrolli dhe garantimi standardesh. Në një treg ku çmimet për metër katror janë rritur ndjeshëm, pritshmëria për cilësi dhe siguri mbetet e lartë, por realiteti shpesh rezulton ndryshe.
Në provën e parë reale, atë të zjarrit, ndërtesa që shiten si investime të sigurta rrezikojnë të kthehen në kurthe për banorët. Dhe ndërsa kullat vazhdojnë të ngrihen me ritëm rekord, mbetet e paqartë nëse kontrolli mbi to po rritet me të njëjtin intensitet.



