Janë mbushur 3 vjet nga vrasja makabre e 22-vjeçares keniane Joy Ayoko në Tiranë. Ajo u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i tretë i një hosteli në kryeqytet në gusht 2022.
Në atë kohë ngjarja tronditi opinionin publik, por tre vite më pas hetimet mbeten të paqarta për shkak të mungesës së provave dhe pengesave procedurale.
Në një reagimin në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë dhe SPAK-un për mbrojtje të kriminelëve të lidhur me pushtetin. Ai deklaroi se “kriminelët morën jetën e Joy-t të pafajshëm dhe se drejtësia shqiptare ka dështuar përballë këtij rasti”.
Berisha u shpreh se tragjedia e Joyt është një paralajmërim për paaftësinë dhe korrupsionin që mbizotëron në institucionet e drejtësisë. “Kriminelë të lidhur me qeveritarë i morën jetën Joy-t të pafajshëm! Skrapi mbron kriminelët e qeverisë!” – shkruan Berisha që publikon edhe pjesë nga fjala e nënës së vajzës.
“Unë e di kush e vrau fëmijën tim. Edhe policia e di. Jam shumë e zhgënjyer nga drejtësia në Shqipëri. Ishte dhimbje e madhe për mua por tani jam bërë më fortë dhe tani kam forcën për t’u përballur me frikërat e mia, përfshirë kthimin në Shqipëri në të ardhmen e afërt. Po, do të vij për ta mbyllur çështjen dhe për t’ia marrë telefonin nga gjykata. Me këshillat e duhura do të vij, por këtë herë do të sigurohem që kam vizituar personalisht zyrat në Kenia”, – thotë ajo.



