Është arrestuar autori i vrasjes së 14-vjeçare, Martina Carbonaro, e cila u gjet e pajetë në një shtëpi të braktisur në zonën e Afragolas të Italisë.
Sipas mediave italiane, mësohet se adoleshentja është goditur me gur në kokë nga ish i dashuri i saj Alessio Tucci, pasi nuk ka përballuar dot ndarjen. Tucci është arrestuar pasi është vënë re nga kamerat e mbikëqyrjes të instaluara në zonë.
Nga kamerat është parë se të dy ata kanë kaluar në stadiumin Moccia dhe më pas duke hyrë në shtëpinë e braktisur të kujdestarit të objektit sportiv. Ndërkohë, pak orë më vonë 19-vjeçari është parë të dalë nga shtëpia i vetëm.
Në dëshminë përpara autoriteteve, Tucci është shprehur se e ka goditur me gur në kokë të cilin e kishte gjetur në vendin e ngjarjes.
“E godita me një gur të gjetur në vend, nuk donte të kthehej më me mua”, është shprehur ai.
Vajza, e quajtur Martina Carbonaro, ishte zhdukur të dielën pas një mesazhi që kishte dërguar, ku njoftonte se po dilte për t’u takuar me një shoqe.
Pas disa orësh pa kontakt, nëna e saj përpiqej ta telefononte, por telefoni i vajzës ishte fikur dhe nuk kishte asnjë informacion tjetër për vendndodhjen e saj.
Trupi i pajetë i Martinas u gjet në një kasolle të braktisur pranë stadiumit “Moccia”, jo shumë larg shtëpisë së saj. Ajo ishte fshehur nën një dyshek, një vend që u identifikua pas analizimit të kamerave të sigurisë, të cilat kishin regjistruar lëvizjet e vajzës.



