Një aksident i rëndë në punë i mori jetën një 64-vjeçari këtë të diel në zonën e Paskuqanit, ndërsa policia arrestoi administratorin e firmës ku ndodhi ngjarja.
Punëtori me iniciale H. P. humbi jetën pasi ra nga një lartësi gjatë punës në një kompani nënkontraktore, rreth orës 10:30 të paradites.
Pas ngjarjes, në mbrëmje, rreth orës 18:00, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë administratorin e kompanisë “Al Great Shpk”, Avni Mekshi, 61 vjeç.
Policia po heton rrethanat e aksidentit dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë teknike në vendin e punës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila pritet të kryejë veprime të mëtejshme hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



