spak bkh

Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer mbrëmjen e djeshme një veprim të pazakontë, duke arrestuar vetë një person të shpallur në kërkim, pa njoftuar paraprakisht Policinë e Shtetit.

Kjo është hera e parë që ndodh një veprim i tillë dhe arrestimi u krye vetëm pak orë pasi drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, paralajmëroi në Kuvend se BKH do të kryente vetë disa arrestime.

Bëhet fjalë për Adi Çobajn, një personazh i akuzuar si kreu i një linje të fortë trafiku kokaine dhe heroine.

Por më shumë se emri i tij, lajmi është fakti se BKH-së nuk i duhet më domosdoshmërisht Policia e Shtetit për të ekzekutuar urdhra arresti dhe mesazhi që qëndron pas këtij veprimi.

Duket se BKH ka ndërhyrë vetë në Durrës, pasi ka pasur informacione për lidhje të këtij grupi me elementë që vijojnë të jenë në kupolën e Policisë së Shtetit. Kjo ka ngritur dyshime dhe frikë për një dekonspirim të mundshëm.

Kjo vjen edhe në një kohë kur personazhe shumë të kërkuar në dosje të rëndësishme, si ajo e AKSHI-t, thuhet se lëvizin lirshëm në Tiranë dhe Durrës, pavarësisht se janë shpallur në kërkim nga SPAK dhe nuk arrestohen nga policia.

Megjithatë, më shumë se çështja e të shumëkërkuarve që Policia e Shtetit thotë se nuk di ku ndodhen, ngjarja e mbrëmshme ka tronditur elitën politike në Tiranë.

Mesazhi është i qartë: Persona me peshë politike apo lidhje të forta mund të arrestohen në çdo moment pas një mase të GJKKO-së, edhe pa dijeninë paraprake të Policisë së Shtetit.

Kjo është pjesa e pazakontë e asaj që ndodhi mbrëmjen e djeshme. Jo thjesht fakti që u arrestua një person i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, por mënyra se si u krye operacioni dhe sinjali që BKH i dha Policisë së Shtetit dhe politikës. /skyweb.al