-1000-0-img-2955-6a86d05e48d1e

Policia aksion në Vorë, zona të tjera të Tiranës dhe Kukës për arrestimin e Bekim Bulicës, pronarit të lokal Principotes dhe Daniel Gjanës alias Heurteven, të shpallur në kërkim pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil.

“Kemi dyshime se Danial Gjana mund të fshihet në Vorë, për shkak se banon atje”, tha një burim. Ndërsa Bulica, shtoi më tej burimi, ka lidhje në Kukës. “Nuk përjashtojmë as mundësinë që të jetë larguar në drejtim të Kosovës”, shtoi më tej zyrtari i policisë.

Bulica, pronar i Principores, është shpallur në kërkim, pasi ka qenë në lokal kur ka nisur sherri mes Daniel Gjanës dhe grupit të turistëve dhe më pas ndodhi vrasja dhe nuk ka njoftuar. Ndërsa Daniel Gjana alias Heurteven akuzohet për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim, pasi e ka goditur me grushte 20-vjeçarin portugez. Deri më tani aksionet nuk kanë dhënë rezultat.

Për vrasjen e portugezit është arrestuar autori i dyshuar, Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, një personazh i skeduar për disa krime, si dhe 10 persona të tjerë, përfshirë Miosid Matushaj, punonjës policie; Luciano Seferi, polic në burgun e Fierit dhe Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër. Në mesin e të arrestuarve janë dhe dy shtetas turq, në bagazhin e makinës së të cilëve u arrestua Sokrat Vata në përpjekje për t’u arratisur.