miklovan danaj

Trupi i Miklovan Danajt, 30-vjeçarit nga Guri i Zi i Shkodrës i cili rezultonte i zhdukur prej muajit maj, dyshohet se është gjetur më 24 gusht në brigjet e Marbellës, Spanjë. Lajmi u bë publik nga mediat spanjolle, ndërsa tashmë janë marrë mostra ADN-je nga familjarët për t’u krahasuar me trupin e viktimës.

Sipas raportimeve, Danaj, i njohur edhe me nofkën “Keli”, dyshohet se është rrëmbyer, dhunuar, vrarë dhe më pas trupi i tij është hedhur në det. Dyshimet për një ekzekutim u shtuan pas një mesazhi kërcënues që mbërriti në derën e familjarëve, ku shkruhej: “Miklovani ka vdekur, mos e kërkoni.”

Pranë trupit të pajetë janë gjetur dy palë dokumente shqiptare, çka ka ngritur më tej dyshime mbi rrethanat e vrasjes. Hetimi aktualisht po zhvillohet nga autoritetet spanjolle dhe është përqendruar kryesisht tek pazaret e drogës.

Paralelisht, policia shqiptare ka nisur verifikimet në vendin tonë përmes marrjes në pyetje të familjarëve dhe kontrollit të çdo informacioni që lidhet me aktivitetin e tij. Po ashtu, janë hapur pista hetimore edhe në disa shtete të tjera si Italia dhe Holanda.