Projektligji i ri i dorëzuar në Parlament për “Barazinë Gjinore”, ka ndryshuar nga drafti fillestar. Në të parashikohet një ndryshim në përkufizimin e termit “gjini”, ku përveç atyre burrë e gru, tashmë përfshin edhe identitete të tjera, pra gjithëpërfshirës.
Fillimisht, kur projektligji për barazinë gjinore u hodh për konsultim publik në mars, Neni 4, ishte fare i qartë: Gra dhe burra, në kuptim të këtij ligji, nënkupton edhe vajza dhe djem. Por gjatë procesit të konsultimeve, Aleanca LGBTI kërkoi që përkufizimi të zgjerohej “përtej konceptit binar burrë-grua”, duke përfshirë identitete të tjera gjinore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pranoi kërkesën, duke bërë kështu që në draftin final, të parshikohet kuptimi i termit “gjini” më gjithpërfshirës. Formulimi i ri në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.”
Sipas projektligjit të ri për barazinë gjinore, parashikohet përfaqësim i detyrueshëm i gjinisë nga 30% deri në 50% në pozitat drejtuese, dhe jo vetëm në sektorin publik por edhe në privat. Ndërsa objekti i zbatimit të tij do të jenë të gjitha institucionet vendimmarrëse të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe në administratën publike qendrore dhe vendore.
Fjala “gjithëpërfshirëse” është futur edhe në disa nene të tjera të projektligjit duke treguar se nuk bëhet fjalë vetëm për një ndryshim gjuhësor, por për një zgjerim të qëllimshëm që i jep status juridik kategorive të reja gjinore. Këtë e përforcon dhe termi, po në të njëjtin nen “shprehje gjinore”, që nënkupton se gjithkush mund të deklarojë gjininë që dëshiron.
Megjithatë, projektligji nuk jep një listë konkrete të gjinive jo-binare, pra atyre që shkojnë përtej konceptit të deritanishëm burrë-grua. Në debatet ndërkombëtare për identitetin gjinor, disa studiues numërojnë deri mbi 70 identitete të ndryshme, çka do e bënte edhe më të ndërlikuar zbatimin praktik të ligjit.
Por, pyetja që po ngre debatin më të madh është: si do të zbatohet kjo kuotë kur numri i gjinive nuk do të ishte më, vetëm dy?
Me dy gjini burra dhe gra, kuotat janë të qarta: nga një minimum prej 30% gra dhe pjesa tjetër burra, ose 50% me 50%. Por nëse njihen më shumë se dy gjini, matematika nuk del: nëse katër gjini duhet të kenë secila të paktën 30% përfaqësim, totali do të arrinte në 120%- diçka e pamundur.




