Balerina e një klubi nate në Milano ka kallëzuar në polici një sulm të dyshuar nga një klient i lokalit, një 25-vjeçar shqiptar.
“Një klient më detyroi të kryeja marrëdhënie me të”, ka thënë 25 vjeçarja, një italiane, që të dielën në mbrëmje ishte duke punuar kur iu afrua një klient i klubit, i cili ishte marrë vesh me drejtuesit e lokalit që të tërhiqej në dhomën private me vajzën për rreth gjysmë ore.
Sipas dëshmisë së vajzës, gjithçka dyshohet se ka ndodhur brenda kësaj dhome.
Aty, larg syve të klientëve të tjerë dhe të personelit të sigurisë, dyshohet se ka ndodhur abuzimi. Viktima u ka treguar efektivëve, të cilët ishin të parët që ndërhynë në klubin e natës, se gjithashtu dyshonte se i ishte hedhur drogë në koktejin e saj. Alarmi u dha rreth orës 5 të mëngjesit të së hënës. Kjo ndodhi pasi 25-vjeçari me precedent penalë, pas dhunës së dyshuar, filloi të shqetësonte personelin e klubit të natës.
Patrullat e para të karabinierëve kanë marrë dëshminë e balerinës, e cila kishte arritur të çlirohej dhe të largohej nga dhoma private, duke u ankuar për sjelljen e klientit. Pak më vonë mbërriti edhe personeli mjekësor i cili e shoqëroi vajzën në një qendër kundër dhunës, ku ajo u vizitua dhe mori asistencë nga psikologia e klinikës. Në ditët në vijim priten rezultatet e ekzaminimeve mjekësore. Ky është një hap i rëndësishëm për punën e hetuesve, të koordinuar nga Prokuroria e Milanos, të cilët duhet të sqarojnë disa aspekte të ngjarjes dhe të gjejnë prova që mbështesin rrëfimin e viktimës. Vajza ende nuk e ka formalizuar denoncimin.
I dyshuari për ngjarjen është kontrolluar nga karabinierët, por nuk janë gjetur prova të dobishme për hetimin. Të brendshmet e vajzës dhe të klientit janë sekuestruar për të kërkuar gjurmë biologjike. Është e mundur që balerina, e cila është marrë në pyetje në gjendje shoku, të merret sërish në pyetje. Ndërkohë, 25-vjeçari po hetohet në gjendje të lirë për dhunë seksuale, në pritje të verifikimeve të mëtejshme./Corriere



