Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit duket se është shoqëruar me një sërë rreshtimesh të reja politike në nivel lokal dhe kombëtar.
Një ndër figurat që ka tërhequr vëmendje është Shkëlqim Selami, ish-deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i zgjedhur në vitin 2013 dhe më pas i shkarkuar në vitin 2016 në bazë të ligjit të dekriminalizimit, për shkak të një mase sigurie të padeklaruar si pjesë e një organizate kriminale në Itali.

Pas largimit nga politika aktive, Selami është zhvendosur drejt sektorit privat, ku ka zhvilluar veprimtari në fushën e ndërtimit. Në vitin 2020, ai themeloi kompaninë “Selami Konstruksion” sh.p.k., me seli në Vlorë, dhe në vitin 2024 kjo kompani mori një leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit për ndërtimin e një kompleksi të madh në zonën e Orikumit.
Sipas dokumenteve zyrtare, bëhet fjalë për një projekt ndërtimi të një kompleksi rezidencial dhe shërbimesh me ndërtesa 6 dhe 7 kate dhe një kat nëntokësor. Leja përfshin gjithashtu zhvillimin e një “business hotel” me hapësira për bare, restorante, SPA, salla konference dhe apartamente luksoze me akses në hapësira të gjelbërta dhe me afërsi me bregdetin.

Zona e ndërtimit ndodhet përgjatë rrugës “Orikum”, në zonën kadastrale 2832 të Bashkisë Vlorë, rreth 14 km në vijë ajrore nga qendra e qytetit dhe konsiderohet si një zonë me potencial strategjik për zhvillimin turistik.
Sipas të njëjtave dokumente, përdorimi kryesor i projektit do të jetë banimi, por përfshin edhe hapësira të konsiderueshme për shërbime komerciale dhe hoteleri. Strukturat janë të konceptuara të jenë fleksibël dhe të adaptueshme sipas kërkesës së tregut.
Prona në fjalë ka qenë objekt mosmarrëveshjesh ndër vite mes pronarëve të ndryshëm, por pas përfshirjes së Selamit, thuhet se konfliktet janë zgjidhur dhe leja është miratuar pa pengesa. Ky zhvillim ngre pyetje mbi rreshtimin e ri të figurave të mëparshme të opozitës me pushtetin aktual, veçanërisht në një kontekst politik ku mbështetja individuale shpesh përkthehet në përfitime konkrete ekonomike./gazetajone



