ilir meta samir mane monika kryemadhi

Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, që shpalli fajtore nënën e saj, Fatime Kryemadhin, për pastrim parash, duke këmbëngulur se vila në rezidencën “Kodra e Diellit” është përfituar përmes një marrëdhënieje kleringu dhe jo me para që burojnë nga aktiviteti kriminal.

E ftuar këtë të premte në emisionin “Shqipëria Live”, Kryemadhi deklaroi se do ta vijojë betejën gjyqësore, pavarësisht se GJKKO rrëzoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e vilës.

“Prokurori ka kërkuar konfiskimin e një shtëpie që është bërë me klering, nuk është blerë me pastrim parash. Kur thua pastron, është bërë një vepër penale. Cila është vepra penale që ka bërë?”, deklaroi Kryemadhi.

Por ndërsa mbrojti mënyrën e përfitimit të vilës në “Kodrën e Diellit”, Kryemadhi nuk përmendi në këtë pjesë të intervistës një tjetër episod të dosjes së SPAK, atë të vilës në kompleksin rezidencial “Rolling Hills”, që sipas prokurorisë i ishte premtuar çiftit Meta-Kryemadhi nga biznesmeni Samir Mane.

SPAK pretendon se gjatë vitit 2014 Meta dhe Kryemadhi kishin pranuar premtimin për përfitimin e një vile, ndërkohë që dyshohet se ushtronin ndikimin e tyre politik për ndryshime ligjore që favorizonin interesat e biznesmenit në sektorin minerar.

Sipas prokurorisë, marrëdhënia nuk u finalizua pasi informacioni për vilën u bë i njohur edhe për persona të tjerë, përfshirë ambasadorin e atëhershëm të Greqisë në Tiranë.

Kryemadhi e ka kundërshtuar më herët këtë akuzë, duke deklaruar se kishte synuar ta blinte vilën bashkë me nënën e saj, por kishte hequr dorë pas kundërshtimit të Ilir Metës. Edhe Mane ka mohuar pretendimet për favorizime, ndërsa nuk është marrë i pandehur në këtë procedim.

Dy episodet u referohen pronave të ndryshme. Vila në “Rolling Hills” është pjesë e akuzës për korrupsion ndaj Metës dhe Kryemadhit, ndërsa ajo në “Kodrën e Diellit” ishte objekt i kërkesës për konfiskim në procesin ndaj Fatime Kryemadhit.

Gjykata e Posaçme e dënoi këtë të fundit me 7 vite e 6 muaj burg për pastrim parash, dënim që u reduktua në 5 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ekzekutimi i pjesës së mbetur të dënimit u pezullua, duke e vendosur atë në shërbim prove për dy vjet.

Kryemadhi kritikoi gjithashtu drejtuesit aktualë të Partisë së Lirisë, duke shprehur habinë se përfaqësuesit e kësaj force politike nuk kishin ngritur çështjen e burgosjes së Ilir Metës gjatë takimit me komisioneren europiane Marta Kos.

Ajo solli në vëmendje reagimin e Partisë Socialiste gjatë burgosjes së Fatos Nanos në vitet ’90, duke deklaruar se drejtuesit e Partisë së Lirisë duhet të denoncojnë në institucionet ndërkombëtare atë që ajo e konsideron burgosje politike të Metës.