Shtatë biznesmenë dhe deputetja socialiste Klotilda Bushka janë marrë zyrtarisht të pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në lidhje me dosjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e cila sot përmes një komunikate për mediat bëri me dije se e kishte dërguar për gjykim.
Ish-kryetarja e Komisonit të Ligjeve dhe deputetja socialiste Klotilda Bushkaakuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, deputetja ka ndërhyrë në hetimet e SPAK ndaj Erion Veliaj në dhjetor të vitit 2024. Kjo vepër penale përfshin kryerjen e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj.
Ndër biznesmenët që janë zyrtarisht të pandehur përmendim, Elman Abulen, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Shkëlqim Fusha, Mirton Lika, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu.
Elman Abule prej muajit shkurt, është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ai është marrë i pandehur për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, në emër të shoqërisë tregtare “Rametal” shpk.
Gentian Sula akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i personave i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në emër të shoqërisë tregtare, “Agi Kons” shpk. SPAK thotë se kompania “Agi Kons” e Gentjan Sulës ka përfituar leje ndërtimi dhe tendera pranë Bashkisë së Tiranës dhe në këmbim i ka dhënë çiftit Veliaj-Xoxa një vilë në “Marea Resort” në Qerret të Kavajës.
I pandehur është marrë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i personave i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në emër të shoqërisë tregtare, “Kontakt” shpk. Kjo kompani e Betkashit, pikërisht në periudhën kur kërkonte leje ndërtimi për një projekt në Tiranë, është përfshirë në sponsorizime dhe mbulim të shpenzimeve të udhëtimit për Veliajn dhe Xoxën.
Mirton Lika, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Fshehja e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim, në emër të shoqërisë “Lani” shpk. Akuzat lidhen me ambientin e ndodhur në katin e 11-të të kullës të quajtur “Sky Tower”, e cila dyshohet se posedohet nga bashkëshortja e Erion Veliaj, si pronë e fshehur. Ambienti ndodhet një kat më sipër zyrës së regjistruar të organizatës “Harabel“ që drejtohet nga Ajola Xoxa, teksa nuk është deklaruar në asnjë prej deklaratave të pasurisë së çiftit Veliaj-Xoxa.
Shkëlqim Fusha është marrë i pandehur për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i personave i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në emër të shoqërisë tregtare “Fusha” shpk. Sipas SPAK, Veliaj ka firmosur një leje ndërtimi në fshatin Yrshek të Tiranës, e cila do të realizohej nga kompania ‘Fusha Shpk’ në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Fusha.
Biznesmeni i ndërtimit Meriman Palushi, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i personave i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”në emër të shoqërisë tregtare “Palushi” shpk;
Sokol Kryeziu, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i personave i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në emër të shoqërisë tregtare “Gerard-A” shpk.



