-640-0-rtsh-1686592732

Shqipëria rrezikon të mos marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, Eurovision, për shkak të një krize të rëndë financiare me të cilën po përballet RTSH.

Situata është përshkruar nga menaxhmenti si një “nivel katastrofik borxhesh dhe detyrimesh”, teksa bordi i ri “po bën çmos për të menaxhuar krizën”.

Drejtuesja e re, Eni Vasili thotë se ka një prioritizim të pagesave, duke u përqendruar në detyrimet ndaj Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) për të siguruar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Eurovision.

Vasili mori detyrën e drejtoreshës së përgjithshme në prill, duke trashëguar një transmetues të ngarkuar me rreth 6 milionë euro borxhe dhe rreth 1.8 milionë euro shpenzime ligjore që rrjedhin nga shkarkimi i menjëhershëm i 150 punonjësve nga paraardhësi i saj, ish-politikani Alfred Peza.

Kjo situatë krijon pasiguri mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Eurovision 2026, pasi çdo dështim në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj EBU-së mund të rrezikojë bashkëpunimin e transmetuesit dhe të drejtat ndërkombëtare të transmetimit, sipas Birn.

Menaxhmenti i RTSH pritet të rishikojë së shpejti borxhet e brendshme dhe të marrë vendime që synojnë stabilizimin financiar, në mënyrë që të shmangë humbjen e një prej ngjarjeve më të rëndësishme vjetore të transmetuesit, pjesëmarrjen e tij në Eurovision.