Është dhënë në Hagë dëshmia e James Rubin, i thirrur nga avokatët mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Rubin ka folur për njohjen e tij me Thaçin, ndërsa ky i fundit kishte shkuar si kryeministër në New York.
“Pas vitit 2000 kam pasur ndërveprim me Thaçin. Nuk më kujtohen të gjitha, më kujtohet takimi i parë ai ishte djalë i ri, e kam takuar në një kohë të vështirë, nuk kishte funksion apo pushtet. Dhe herën e parë jemi takuar pas publikimit të kësaj në Neë York kur është bërë kryeministër.
Erdhi në një restorant si kryeministër, dhe unë u habita nga kjo sepse kishte kaluar nga një djal i ri që punonte në rrethana të vështira, befasisht ishte bërë kryeministër. Kishin kaluar disa vite, 4-5 vite. Kjo ka ndodhur në një restorant në Neë York. Hera e fundit besoj duhet të ketë qenë rreth vitit 2018 kur po punoja në Uashington dhe ai ishte president i Kosovës”, tha Rubin.
Rubin tha se nuk kishin njohuri për UÇK-në, por në Rambuje atij iu kërkua nga vetë Madeleine Albright që ai të bëhej i afërm me Hashim Thaçin: ta njihte nga afër.
Misetic: Si keni ndërvepruar me Thaçin gjatë Rambuje?
Rubin: “Më kujtohet takimi i parë, i regjistruar ky në kabllogram. Më kujtohet që ai më njohu menjëherë, sepse unë isha zëdhënës i DASh, dhe dilja në televizor.
Dhe zonja Albright e vërejti që ai më njohu, ajo ishte e zonja në marrëdhëniet njerëzore, dhe më tha bisedo dhe njihu me të.
Sepse unë s’e njihja, e ne donim të dinim pak më shumë kush ishte udhëheqës i delegacionit, që ne donim të ishin në marrëveshje të paqes.
Njihu me të, më tha, dhe kështu bëra. Për ato 2 javë qëndrova me të, hanim bashkë, e pinim ndonjë cigare, ecnim bashkë, dhe unë përpiqesha ta njihja.
Albright mendonte se ishte e dobishme, dhe unë i njihja përpjekjet e saj më mirë se dikush tjetër, dhe ajo donte që unë ta njihja atë, që të bëhesha koleg, mik e shok diplomatik. Dhe për këtë kalova aq shumë kohë me të”.
Kush është James Rubin?
James Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.Aktualisht, ai shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Rubin ka qenë këshilltar diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe Shkolla Ekonomike e Londrës, dhe është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria solli 125 dëshmitarë në sallë, si dhe dëshmi të tjera u dhanë me shkrim. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u bë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.



