IMG_4330

Kur vëllezërit Çopja dhe Talo Çela shtrënguan duart për vrasjen e Andi Zylyfit ata përdorën makinën e Dumanit. Aty, nisi tradhtia që e shtyu Nuredinin të braktiste të tijtë, e t’i bashkohej Erjon Alibejt…

“Pas disa ditësh, nuk e mbaj mend fiks sa ditë ka qenë pas këtij rasti që i dhashë makinën, ndodhi një vrasje në Peqin. Që ishte i ndjeri Andi Zylyfi, edhe një shtetas tjetër që mbeti i plagosur. Po atë natë vjen policia ke shtëpia ime. Ngjarja ndodh në Peqin, atentatorët unë e dija kush ishin, edhe çne vjen policia te ne. Për këtë gjë mendova shumë gjëra të tjera, këtu po bëhet një lojë tani, se dashkan me na e fut neve këta.”

Veç makinës që u përdor pa dijeninë e tij, një tjetër veprim implikonte Dumanin. Në një takim me një personazh të njohur si Dine Çami, ai zbulon se kishte bërë transportuesin e parave për eliminimin e Andi Zylyfit. Por, vetë nuk kishte marrë asnjë qindarkë dhe makina u përdor pa dijeninë e tij“Shkova në Elbasan takova Dine Çamin. Diskutuam për shumë gjëra të vogla aty, po më hapi temën, të vrasjes ‘shiko nuk është mirë kështu. Ata e kanë nisur shumë keq, shih, vrit atë që do të vrasësh, mos ti marrim mbarë. Mua s’më takonte ti jepja shumë muhabet Dinit, se nuk e dija çfarë roli kishte tamam, përveçse lekët që i kishte dhënë Kel Kamami, për t’ia dhënë ‘Momës’. Unë kam ardhur për porosinë e ‘Momës’, i thashë, me thënë drejtën, pjesën tjetër s’di çfarë të them… ke të drejtë më tha, po muhabet po bëjmë, se edhe unë jam i shqetësuar tha se jam me këta.

Me nofkën “Moma”, ata thërrisnin Talo Çelën. Dumani ka rrëfyer edhe momentin kur i ka dorëzuar paratë këtij të fundit, pa i dhënë asgjë.

“E takova Talon dhe i thashë, hë re i thash, s’ka gjë për mua fare? E bëra këtë për ‘mustaqet e Çelos’, e bëra kot, e bëra për qefin tuaj këtë? Ç’ke ti re vëlla tha, do kemi punë do bëjmë këtë do bëjmë atë, edhe më shpjegoji, që porosia e kësaj, ishin dy vëllezër që jetonin në atë kohë, në Dubai”.

“Do i filloj eliminimet nga Dorjani që të vijë…”, Dëshmia me zë e Dumanit që zbulon intrigën me Alibejn për të futur në kurth Talo Çelën

Dumani u ndje i mashtruar dhe i futur në kurth nga miku i vjetër. Pas dyshimeve që lindën me kontrollin policor në banesën e tij, nga bashkëpunëtor i Talos, Nuredin Dumani, kalon në krahun tjetër….

Kur Dumani dhe Alibej u bashkuan, Elbasani dhe Durrësi u mbuluan me arkivole. Në takimin e parë ata vendosën: Erjon Alibej paguan, Nuredin Dumani eliminon.

I pari që u ekzekutua dhe ra në pritën e ngritur nga bashkimi i forcave të dy personazheve të etur për hakmarrje ishte Dorjan Shkoza.

“Unë e filloj nga Dorjani, nga këta, Talo Çela do e kuptojë që jam unë edhe do vij. A je i sigurtë i thashë që mund të vij, se aty mund ta kapim, në qoftë se vjen. Tha po, unë mendoj se do bëhet i gjallë, sepse edhe me Festim Qolin, ai shkon shumë. Ok, në qoftë se ti e gjykon kështu ok, çfarë do nga unë? Çfarë mund të ofroj unë që mund të ndihmoj. Edhe më tha, unë tha çunat i kam gati. Unë për çdo vrasje marr gjysmat e lekëve përpara. Hipi lart, marr një telefon, më kujtohet shumë mirë që ka qenë i-phone 6 me SKY, edhe përpara se të shkoj atje i them Nuredinit, do hipi lart do marr një telefon edhe do vij, edhe mos e ke problem të jap 50 euro me vete. Jo tha, unë se kam problem”

Nuredin Dumani i financuar nga “Krymi”, nën koordinimin e Arjan Spahisë, organizon Henrik Hoxhajn, Eljo Bitrin, Klevis Allën dhe Asllan Plakun për eleminimin e Shkozës, personin që e futi në grupin e Talo Çelës. Dorian Shkoza u ekzekutua më 2 mars 2020. Breshëria e kallashnikovit i mori jetën edhe mikut të tij Anxhelo Avdia…..

“Në atë kohë e kam mbajtur te shtëpia ime Henrikun me ditë. Se mbaj mend sa ditë, disa ditë, derisa organizova vrasjen e Dorjan Shkozës, ku aksidentalisht mbeti i vrarë edhe një person tjetër. Anxhelo Avdian unë e kisha komshi aty, më erdhi shumë keq, po ndodhi ashtu si ndodhi, po e thirri Dorjan Shkoza atë”.

“Miri Kolës’ Do vriste kunatin e motrës”, rrëfimi i Dumanit zbulon planin tronditës 

Një muaj pas vrasjes së Shkozës, shënjesta e rradhës ishte një tjetër killer i organizatës “Çopja”. Beshëria e kallashnikovit, i mori jetën Besmir dhe Viktor Haxhisë. Më i madhi prej vëllezërve, i njohur si “Miri Kolës” ishte shënjestra. Ai, ishte përfshirë në ekzekutimin e familjes Alibej.

Rrëfimet e Dumanit zbulojnë mendësinë e njerëzve të asaj bote. Ai flet edhe për planin e eliminimit të një të afërmi nga i ndjeri “Miri i Kolës”. Nuk dihet nëse ishte konflikt familjar, por fatmirësisht ai plan nuk u realizua.

“Altin Ndoci, edhe Mir Haxhia, Miri Kolës, bashkë me vëllain tim Dashnor Dumanin, do ekzekutonin kunatin e Motrës së Mir Haxhisë. Nuk më vjen emri për momentin, po motra këtij e ka vëllain e burrit. Mir Haxhia do ishte informatori, Altin Ndoci do ishte ekzekutori, Dashi do ishte shofer”

***

“Aman vëlla, jo sonte se do ta nxjerr unë në pritë Talo Çelën”, kush e tradhtoi “Momën” dhe vdekja e mistershme e informatorit

Në këtë histori gjakatare, nuk ekzistonte besa. Të gjithë i shisnin të gjithë. Tradhtia ishte mjeti kryesor i mbijetesës dhe parasë së shpejtë. Në dëshminë e tij, Nuredin Dumani tregon se një nga njerëzit më të afërt të Talo Çelës u rekrutua nga kundërshtari i tij, Erjon Alibej.

“Kam deklarua edhe më përpara për një shtetas, që sot është vrarë. Ardian Çollakun. Ardiani kishte krijuar kontakt në telefon, dhe kishte pasur takime me Erjon Alibejin, kundrejt pagesës. Se Ardiani komunikonte me të gjithë, merrte lekë nga të gjithë. Ardiani, ishte shok i ngushtë i Talo Çelës. Pra, Ardiani na jepte shumë fare informacion për Talon. Edhe për aq herë sa e kemi pas ne informacionin për Talo Çelën, i merrnim vetëm nga Ardiani.

Në këtë lojë, Erjon Alibej bleu njeriun më të afërt të kundërshtarit. Informacionet e brendshme të Talos kalonin drejt tij. Dumani tregon nuk e dinte që lidhja mes Ardianit dhe Erjonit ishte e konsoliduar. Alibej nuk i kish treguar pasi nuk i besonte askujt, pavarësisht besës që kishte lidhur me Dumanin për hakmarrje ndaj armiqve të përbashkët.

“Eljo Bitri me gjithë Erjon Alibej kishin krijuar kontakt telefoni. Kishin bërë edhe takime por pa e ditë unë, këtë unë e mora vesh mbrapa pastaj. Edhe i thashë: pse e bëtë këtë, mund të tregonit se unë s’kisha ndonjë problem për të ma mbajtur të fshehtë. Ato kishin frikë gjatë gjithë kohës, shiko se mos na vrasë ky ne. Pra kishte frikë, Erjoni mos e vras unë….”

Në një moment ata mësojnë se se Talo Çela ishte në shtëpinë e Eljo Bitrit. Ishte mundësia perfekte për ta eliminuar. Por, ai vend nuk u kthye në skenën e vrasjes, pasi Bitri i trembej faktit që do dyshohej se e kishte nxjerrë në pritë dhe mund të zbulohej tradhtia.

“Bitri më thotë mua, që është Talo Çela këtu, i thotë edhe Erjon Alibejit. Ju luta Eljo Bitrit, shiko më thuaj po të vimë ta vrasim, se nuk mund të hamë në besë ty. ‘Aman vlla jo sonte, se do ta nxjerr unë në pritë Talo Çelën’. Faktikisht më ka dhënë dy herë informacion, por më ka dhënë informacion fake.”

Dëshmia e Dumanit e tregon qartë se në këtë botë, askush nuk i beson askujt. Të gjithë tradhtojnë dhe të gjithë shesin njëri-tjetrin.

“Pra informacione më shumë për Talo Çelën na jepte Ardian Çollaku.”

Ardian Çollaku i rekruetuar nga Alibej, u ekzekutua së bashku me vëllanë e Eljo Bitrit, më 4 tetor të vitit 2021 në një karburant pranë rrethrrotullimit të luleve. Makina e autorëve u dogj në Bradashesh, pranë banesës së Talo Çelës. Kjo ngjarje, nuk është zbardhur nga autoritetet st e kësaj dite…

Ishte maskuar si plak në atentatin me tritol, Dumani: Ata çunat më ofruan ujë, por rrezikuan nga shpërthimi..

Në rrugëtimin e tij kriminal, pavarësisht shtrëngimit të duarve me Erjon Alibejn, Nuredin Dumani nuk harroi ti shërbej edhe miqve të vjetër. Vëllezërit Qoli kishin një konflikt pronësie me një të moshuar nga Berati, që kishte një lokal në pallatin e ndërtuar nga Petrit Qoli. Dumani u porosit ti jepte një mësim duke i vendosur lëndë plasëse te lokali…

Kur vendosi tritoli, Dumani kishte vendosur një maskë si i moshuar dhe ishte veshur me rroba të vjetra.

Pasi arriti në destinacion me biçikletë, vuri dy kallëpë në dy cepat e lokalit dhe ndezi fitilin…. në momentin që u largua kaloi nga zona ranore e plazhit. Por, biçikleta u ngul në rërë, dhe u rrëzua. Në atë moment dy të rinj u afruan për ta ndihmuar.

“Ata: o xhaje prit të japim një gotë ujë, ça xhaje, unë kisha maskën nuk po merrja dot frymë më edhe mora biçikletën, edhe dola në anë që të kapte uji, që të ishte më e fortë më e qëndrueshme. I hipa biçikletës edhe i dhashë fort. Sa ika se di sesa metra, ajo shpërtheu. Shpërtheu lënda plasëse që kisha vënë aty, shyqyr nuk i kapi këto çunat, po ato duke më sharë, duke bërtitur mu vunë mbrapa deri te ura e Dajlanit.”

Nuredin Dumani shtonte kontaktet me grupe të tjera kriminale. Me Erjon Alibejin, thurte plane për eliminimin e kundërshtarëve. “Klientë” të rinj i vetë-ofroheshin pas emrit që krijoi./Top Channel