Eduart Merkaj është emëruar në postin e drejtorit të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore (AMP), duke zëvendësuar në këtë pozicion Florjan Sulejmanin, i cili dha dorëheqjen në muajin Korrik. Më herët Merkaj ka mbajtur disa pozicione drejtuese në strukturat e policisë së shtetit, përfshirë drejtuesin e policisë kufitare, pozicion nga i cili u largua në vitin 2022.
Merkaj ka mbajtur edhe detyra të tjera të rëndësishme gjatë karrierës profesionale. Gjatë viteve 2000-2002 ka qenë Oficer i SHISH Vlorë, ndërsa në periudhën 2002-2003 ka qenë Oficer i SHISH Tiranë.
2003-2006: Oficer në SHKB, pranë Ministrisë së Rendit Publik; 2006-2010: O.P.Gj pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm; 2010-2013: Specialist në Sektorin Antikorrupsion, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. 2013-2015: Shefi Sektorit të Forcës së Posaçme, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
Janar 2016-Prill 2017: Shefi i Sektorit per Hetimin e Korrupsionit ne Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Prill 2017 – 20 Mars 2018: Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhë Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Mars 2018 – 03 Janar 2019: Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale, në DPPSh.
Agjensia e Mbikqyrjes Policore ishte në qendër të kritikave të kryeministrit Edi Rama, gjatë prezantimit të ministres së Brendshme Albana Koçiu. Rama foli për drejtues injorant të AMP-së, që sipas tij janë bërë njësh me shkelësit e ligjit.
“Duhet ta adresojë siç duhet objektin e punës së vet, se është e pamundur të kemi drejtues të kësaj agjencie në territor, që janë njëkohësisht ndërtues pa leje dhe që mbrohen nën hijen e babait. E ka bërë ndërtimin babai, a thua se meqë është babai i drejtorit, është i amnistuar nga krimi i ndërtimit pa leje. Ndërtues falsifikatorë, që përdorin babain për mbulesë dhe bëjnë rolin e çarçafit duke deklaruar se ndërtimi është bërë në 2018-ën. Drejtues injorantë që nuk e kanë mësuar akoma se kjo gënjeshtër i ka këmbët e shkurtra! Si mund të pritet nga drejtues të këtij niveli të mbikëqyrin policinë, kur ai duhet mbikëqyrur nga drejtësia?!”, deklaroi Rama pak ditë më parë.



