Turizem-2-turiste-Ksamil-1208

Turet kulturore të vjeshtës arritën të kompensonin rënien e ritmit turistik veror, duke e mbajtur këtë vit sërish në krye për numrin e vizitorëve të huaj. Deri në tetor, Shqipëria ka pritur 11.1 milionë turistë, një shifër që tregon rritje, edhe pse të moderuar.

Pavarësisht numrave, bizneset e sektorit nuk janë të kënaqura. Të ardhurat rezultojnë më të ulëta nga sa pritej dhe operatorët turistikë e lidhin këtë me një ndryshim të qartë në profilin e turistit: sot mbizotërojnë të rinjtë që vijnë të frymëzuar nga rrjetet sociale, të cilët synojnë të shpenzojnë minimalisht. Operatorët turistikë nuk presin surpriza për vitin 2026. Ai shihet si një vijim i natyrshëm i këtij viti. Ajo që vihet në dyshim është qëndrueshmëria. Për të garantuar këtë duhet të merren masa konkrete në përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike, garantimin e furnizimit me ujë dhe energji, si dhe në përmirësimin e shërbimit. 

Nertila Maho

Thuajse në mbyllje të vitit, bizneset në sektorin e turizmit nuk e thonë dot qartësisht nëse 2025-a ishte një vit suksesi apo zbehjeje.

Operatorët turistikë pohojnë se në shifër vizitorësh, ky vit mbetet i mirë, me një rritje të moderuar që ka ardhur si rrjedhojë e tureve kulturore të pranverës dhe vjeshtës.

Në raport me të ardhurat e gjeneruara, bizneset e sektorit janë skeptikë. Tipologjia e turistit, kryesisht e re, në kërkim të eksperiencave por pa shpenzuar shumë, ka sjellë më pak të ardhura për ta. Ky rezultat vjen si efekt i një “marketingu” që s’mund ta kontrollosh.

Është viraliteti i videove në rrjete sociale që ka bindur një pjesë të mirë të turistëve se Shqipëria është një përvojë për t’u provuar dhe mbi të gjitha, shumë e lirë dhe pikërisht ata kanë kërkuar opsionet më të lira të mundshme.

Në akomodim kanë mbizotëruar apartamentet apo hostel, kurse në konsum blerjet në supermarket apo dyqanet e ushqimit të shpejtë. Sigurisht kjo nuk vlen për të gjithë turistët, por tipologjia mbizotëruese ka qenë kjo.

Balancimin e kanë bërë turistët që vijnë në ture kulturore dhe ata të moshës së tretë nga Europa Perëndimore, të cilët eksperiencën e Shqipërisë nuk e shohin si një “check in” por si një periudhë çlodhjeje me më shumë zgjedhje nga oferta turistike.

Turistë ka, por janë kursimtarë, ecuria e vitit 2025

Deri në fund të tetorit, Shqipërinë e vizituan 11.1 milionë të huaj. Të paktën kjo ishte shifra që raportoi Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit me një rritje 7% në raport me janar – tetor 2024.

Gjasat janë që ky vit të regjistrojë një rritje disi më të ulët se ajo e një viti më parë, por në total të tejkalojë rezultatin 11.7 milionë vizitorë që u regjistrua deri në fund të 2024-s.

Pavarësisht një numri më të lartë të hyrjeve të të huajve, konsumi ka qenë më i zbehtë duke lënë kështu më pak para në ekonomi.

Si numër vizitorësh jemi te pritshmëritë që kishim, pra që ky vit do të ishte njësoj si viti 2024. Ndoshta mund të cilësohet pak më i zbehtë sezoni veror. Kanë qenë turistë me kosto të ulët, të cilët kanë zgjedhur Tiranën, vendet rurale, agroturizmet.

Karakteristikë e këtij sezoni veror ishte rënia e turistëve cilësorë, pra atyre që paguajnë më shumë dhe kërkojnë më shumë shërbime. Kishte rënie të këtij grupi në raport me vitin 2024”, shprehet Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa.

Ndryshimi i tipologjisë së turistit duket se lidhet drejtpërdrejt me formën që ka ndikuar zgjedhjen e këtyre të huajve për të ardhur në Shqipëri dhe pjesa më e madhe u janë referuar rrjeteve sociale.

Viraliteti që mori vendi ynë në rrjete sociale, që fillimisht lidhej me bukuritë natyrore, ushqimin e mirë dhe koston e lirë duket se u kthye në një bumerang që ka tërhequr gjithmonë e më shumë “kursimtarë” në një lloj “gare” për eksperiencën sa më të lirë.

“Nuk është se nuk patëm turistë këtë verë. Ndoshta patëm njësoj ose më shumë por ajo që bëri diferencën është tipologjia e turistit.

Kjo është një tipologji e re ku dominojnë kryesisht moshat e reja që parapëlqejnë të shpenzojnë pak dhe të krijojnë eksperienca.

Kërkojnë alternativat më të lira. Kjo moshë kështu sillet kudo jo vetëm në Shqipëri”, – pohon Arben Çipa, nga “Sipa Tours”.