Eksperti i sigurisë Xhavit Shala duke komentuar rastin e Vlora Hysenit, e cila ndër të tjera dyshohet për nxjerrje të sekretit shtetëror ndërsa drejtonte SHISH-in, thekson se dëmi që i ka shkaktuar shtetit shqiptar është i madh.
Shala vë në dukje se humbja e besimit ka rëndësi të jashtëzakonshme në raport me partnerët.
“Dëmi që i ka shkaktuar shtetit, humbja e besimit nga shërbimet partnere. Besimi ka rëndësi të jashtëzakonshme. Nëse humbet besimin e partnerëve është një rrezik i madh për sigurinë kombëtare. Të ndajmë Vlorën nga shërbimi. Shërbimi ka qindra persona, ka njerëz me integritet, ka njerëz që kanë luftuar terrorizmin, që janë ballafaquar me struktura të shërbimeve partnere, kanë pasur rezultate. Kanë bërë operacione spektakolare me CIA-n që s’i kishin bërë me asnjë shërbim tjetër”, tha Shala në emisionin “Off the Record” në A2CNN.
Shala vuri në dukje se shumë punonjës të SHISH janë të habitur se si shefja e shërbimit informativ nuk e kuptoi që po përgjohej.
“Duhet sa më shpejt të rikuperohet gjendja. Mua s’më intereson fare fati i Vlora Hysenit, ta them sinqerisht. Kam komunikuar edhe me punonjës dhe ndihen jashtëzakonisht të shqetësuar dhe si të tradhtuar. Disa edhe nuk e besojnë, si ka mundësi një shefe shërbimi të bjerë…Këto veprime s’i bën dikush që është në nivel nën mesatar, që të shkruajë, të chatojë…Dikush u ka dhënë garanci atyre”, u shpreh ai.



