Në emisionin “Top Story”, gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka sjellë detaje nga seanca me dyer të mbyllura ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila u paraqit në SPAK e shoqëruar nga avokati i saj.
Hoxha tha se seanca zgjati rreth 1 orë e 3 minuta dhe se Hyseni ka mohuar akuzat, ndërsa ka kërkuar që telefoni i saj të ekzaminohet nga agjenci partnere jashtë Shqipërisë.
Gazetarja solli gjithashtu detaje nga deklarimet e të dyshuarve të tjerë dhe momentet pas përfundimit të seancës, kur Hyseni u largua në heshtje nga ambientet e SPAK.
“Seanca ishte njoftuar ditën e djeshme dhe 5 minuta para orës 12, Hyseni kaloi pragun bashkë me avokatin e saj.
Ajo që ka ndodhur është mjaft e rezervuar. Burime jozyrtare, por shumë të besueshme pranë SPAK, që vendosën të flasin në rrugë anonime, thanë se prokurorët kanë vijuar me leximin e të dhënave dhe renditjen e fakteve të dyshuara që mbeten mjaft sekrete, që lidhet me sekretin sa i takon detyrës që ka mbajtur.
Hyseni ka hedhur poshtë akuzat, ka kërkuar ekspertim të telefonit, që nuk duhet të kryhet në Shqipëri, por nga agjencitë partnere. Kjo kërkesë duket e pabazuar, përsa ekspertimet e kërkuara prej saj bëhen në laboratorin e ndërtuar enkas në këtë prokurori të posaçme. Se përse e ka kërkuar këtë, e di vetëm Hyseni. Ka qenë i sekuestruar telefoni, sa kohë ka kërkuar që të këqyret jo nga Shqipëria. Ka pretenduar se nuk ka dalë asnjë dokument i klasifikuar prej saj si drejtoreshë e SHISH. Vetëm këto dy deklarata më janë konfirmuar. SPAK, kur shpërndau vendimmarrjen, rikujtoi sërish se ndalohet shpërndarja e çdo të dhëne nga kjo seancë.
Herët në mëngjes, nga policia u soll edhe Vlora Hyseni, që është në arrest shtëpiak, ishin dhe dy të dyshuarit e tjerë.
Emro Suljemani, i punësuar në një subjekt privat, kamarier, ai është shfajësuar dhe ka pyetur gjykatën se çfarë krimi kishte kryer, duke thënë se e njihte Agasin, pasi është nga qyteti i Durrësit dhe se e kishte ndihmuar me ushqim. Edhe përgjegjësi në laboratorit, Kalloshi, ia ka lënë fajin kujtesës, duke thënë se nuk mban mend të ketë dërguar informacione në telefonin e Agasit.
Të gjithë gazetarët që raportojnë për çështjet e drejtësisë, në ushtrim të detyrimit për t’i bërë publike të vërtetën, ngelën pa fjalë, pasi gati-gati ishte e pabesueshme se çfarë po thoshte ish-drejtuesja e SHISH për gazetaren dhe kolegen Klodiana Lala, direkt u kuptua që ishte një fjali shantazhi dhe kërcënimi.
Ne menjëherë pas seancës me dyer të mbyllura në adresë të Hysenit, që zgjati gati 1 orë e 3 minuta, qëndruam në vendet tona, ne vazhduam t’i drejtonim pyetje që i takojnë dhe janë në fashën e detyrës që ka mbajtur dhe në lidhje me dyshimet që ka zyrtarizuar SPAK deri tani. Ajo që morën gazetarët ishte largimi i Vlora Hysenit në heshtje”, tha Anila Hoxha.



