640-0-1756020727xpolicia-pogradec-685

Policia e Fierit ka arrestuar një 23-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi dyshohet si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, i riu me inicialet E. F., u ndalua në qytetin e Fierit pasi, Gjykata e Riminit i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg”, për akuzat “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

“Akuzohet në Itali, si pjesëtar e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet në Fier dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 23-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, bazuar në informacionet e siguruara nga bashkëpunimi me partnerët italianë, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Gjurmimi”, si rezultat i të cilit u kap në qytetin e Fierit dhe u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi: -E. F., 23 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Riminit, Itali, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, njofton policia.