Screenshot_2-26-750x424-2

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), me në krye, Lorena Goxhobellin, ka reaguar lidhur me shkrirjen e prapritur të kadastrës së Vlorës dhe transferimin e saj drejt Tiranës.

Vendimi është pritur me tensione nga punonjësit e kadastrës dhe qytetarët të cilët kanë frikë se do t’iu privohet shërbimi dhe nuk pranojnë të zhvendosen në Tiranë, ndërkohë, ASHK justifikohet duke thënë se riorganizimi i institucioneve në Tiranë ka nisur që prej vitit 2021, fillimisht me transferimin e Durrësit dhe Krujës, për të vazhduar me pas me Shkodrën, Kavajën, Kamëz-Vorë dhe Vlorën.

Sipas ASHK, të gjitha shërbimet sot janë të digjitalizuara përmes e-Albania dhe se qytetarët nuk preken nga ky proces, megjithatë i gjithë ky vendim është shoqëruar me mostransparencë dhe pa një motiv të saktësuar.

“Prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.

Të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues. Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar.

Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë. Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës”,- thuhet në njoftim.

Ndërkohë prej 2 ditësh, punonjësit e Kadastrës së Vlorës kanë pezulluar punën në shenjë proteste.

Lajmërimi për zhvendosjen deri në fund të muajit janar u ka ardhur më datë 23, vendim ky i firmosur nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës Lorena Goxhobelli. Ndërkohë dje u shkarkua nga detyra dhe nëndrejtori i ASHK Vlorë, Sokol Shehaj, pasi iu bashkua peticionit të 55 punonjësve që kundërshton largimin.

Punonjësit e Kadastrës së Vlorës kërkojnë transparencë nga drejtoresha e përgjithshme, rishikim të vendimit dhe dialog institucional duke thënë se njoftimi ishte i papritur dhe se nuk i është sqaruar asnjë detaj i mëtejshëm.