Gjiganti gjerman i veshjeve sportive Puma dhe rivali i tij i ashpër Adidas e kanë origjinën në të njëjtën shtëpi, aty ku vëllezërit Rudolf dhe Adolf Dassler nisën biznesin e këpucëve rreth një shekull më parë. Një konflikt i madh mes dy vëllezërve çoi në ndarjen e kompanisë në dy pjesë.
Pas ndarjes së kompanisë origjinale të quajtur Geda, Rudolf themeloi Ruda-n, e cila më vonë u quajt Puma, ndërsa Adolf krijoi Adidas. Selitë qendrore të dy kompanive ndodhen ende shumë pranë njëra-tjetrës, në qytetin bavarez Herzogenaurach.
Tashmë, Puma pritet të kalojë nën kontrollin e kompanisë kineze të veshjeve sportive Anta, e cila do të bëhej aksioneri më i madh i saj përmes një marrëveshjeje prej 1.8 miliardë dollarësh. Synimi është ringritja e një prej markave sportive më ikonike të Evropës, e cila ka humbur ndjeshëm terren vitet e fundit.
Puma, e njohur për logon e saj me macen e egër, ka pasur vështirësi të tërheqë konsumatorët drejt veshjeve sportive dhe atleteve Speedcat, ndërsa Adidas ka pasur sukses të madh me modelet retro “Terrace”, duke zgjeruar ndjeshëm hendekun e shitjeve mes dy kompanive.
“Puma u bë tepër e varur nga produktet lifestyle, në vend që të fokusohej te këpucët sportive të performancës, të cilat kanë qenë shtysa kryesore e këtij sektori”, tha analisti i Morningstar, David Swartz, duke shtuar se të ardhurat më të ulëta e kanë kufizuar mundësinë e kompanisë për të investuar në emra të mëdhenj që rrisin dukshmërinë e markës.
Sfidat nga markat e reja
Deri para pak vitesh, Puma renditej e treta në botë për veshje sportive, pas Nike dhe Adidas, duke konkurruar për të prodhuar atlete trendi dhe për të siguruar sponsorizime nga atletë dhe ekipe futbolli. Por me rritjen e markave të reja si On Running dhe Hoka, Puma mbeti pas.
“Puma është bërë tepër komerciale, e mbiekspozuar në kanale të gabuara dhe me shumë ulje çmimesh,” deklaroi në tetor drejtori ekzekutiv i Puma-s, Arthur Hoeld, ish-drejtues i shitjeve në Adidas.
Marrëveshja me Anta-n për blerjen e 29% të aksioneve që zotëroheshin nga familja Pinault (pronare e grupit Kering) i jep Puma-s një mundësi për të rimarrë terren të humbur, veçanërisht në tregun kinez. Pas lajmit, aksionet e Puma-s u rritën me 9%.
“Ne kemi shumë njohuri se si ta bëjmë Puma-n më të suksesshme në Kinë,” tha për Reuters Wei Lin, zv/president global i Anta-s. “Është një nga markat më të vlefshme në këtë industri.”
Marrëveshja e vlerëson Puma-n në rreth 6.2 miliardë dollarë, një çmim relativisht i ulët krahasuar me rivalët si Adidas, Nike dhe kompania zvicerane On.
Speedcat VS Samba
E themeluar në vitin 1948, Puma ka një histori të gjatë në pajisjen e atletëve me këpucë atletike dhe çizme futbolli, fillimisht të prodhuara në Gjermani dhe sot kryesisht në Kinë, Vietnam dhe Indonezi.
Ndërsa Adidas përjetoi rritje të fortë, edhe Puma pati sukses dhe aksionet e saj arritën kulmin prej 115 eurosh në fund të vitit 2021. Që atëherë, vlera e tyre ka rënë me rreth 80%. Kapitalizimi i tregut i Puma-s aktualisht është rreth 3.2 miliardë euro, vetëm një e teta e madhësisë së Adidas-it.
Ndërsa pasiguritë nga luftërat tregtare kanë prekur gjithë sektorin e shitjes me pakicë, Puma është goditur veçanërisht fort nga konkurrenca e ashpër dhe nga fakti që modelet e saj të fundit, mes të cilave Speedcat, janë lënë në hije nga Adidas Samba dhe këpucët e tjera retro.
Drejtori ekzekutiv Arthur Hoeld ka prezantuar një plan rimëkëmbjeje që përfshin shkurtimin e 900 vendeve të punës, uljen e zbritjeve, përmirësimin e marketingut dhe reduktimin e gamës së produkteve.
Sipas analistit Felix Dennl nga banka gjermane Metzler, Adidas fitoi avantazh duke qenë i pari që shfrytëzoi trendin e atleteve retro.
“Adidas e nisi këtë trend rreth gjashtë muaj përpara Puma-s, duke përfituar jo vetëm një nisje më të shpejtë, por edhe duke transferuar popullaritetin nga këpucët lifestyle drejt produkteve të performancës”,tha ai.



