auto_7065481818f68fd27d8fc7ed77127ffd1773403076

Një 21-vjeçare është zhdukur prej disa ditësh në zonën e Foggias në Itali, ndërsa hetimet e autoriteteve po përqendrohen edhe te pista e prostitucionit dhe te personat që mund të kenë pasur kontakt me të para zhdukjes.

Sipas mediave italiane, e reja është parë për herë të fundit pasditen e 2 marsit pranë një rruge nacionale në provincën e Foggias. Pas denoncimit për zhdukjen e saj, policia dhe ekipet e kërkim-shpëtimit kanë zhvilluar kontrolle të shumta në zonë.

Gjatë kërkimeve është gjetur fillimisht xhaketa që ajo mbante veshur, ndërsa pak më larg është zbuluar edhe telefoni celular i saj. Këto prova kanë shtuar dyshimet se vajza mund të jetë përfshirë në një situatë të rrezikshme pak para zhdukjes.

Sipas dëshmisë së një shoqeje të saj, me të cilën jetonte në Itali prej disa muajsh, të dyja kishin punuar fillimisht në bujqësi dhe më pas kishin shkuar në zonën e Foggias ku dyshohet se ushtronin prostitucion në një segment të Rrugës Shtetërore 16.

Shoqja ka deklaruar se disa ditë para zhdukjes ato ishin kërcënuar nga një person që u kërkonte para për të vazhduar të punonin në atë zonë. Dyshohet se ai kërkonte pagesë periodike dhe i kishte paralajmëruar se do t’i detyronte të punonin për të.

Ditën e zhdukjes, sipas dëshmisë së saj, 21-vjeçarja është larguar me një makinë tip BMW të zezë me një person të ri brenda. Pak më vonë, shoqja e saj ka tentuar ta telefonojë, por telefonata është ndërprerë papritur dhe që nga ai moment nuk ka pasur më asnjë kontakt.

Autoritetet italiane kanë intensifikuar kërkimet në zonë me ndihmën e qenve nuhatës dhe dronëve, ndërsa po verifikojnë të gjitha pistat, përfshirë edhe atë të shfrytëzimit për prostitucion. Për momentin, fati i të resë mbetet ende i panjohur.