int

Trajneri rumun Mircea Luçesku është ndarë nga jeta sot në moshën 80-vjeçare në Spitalin e Urgjencës Universitare të Bukureshtit.

Ish-trajneri i ekipit kombëtar rumun ishte shtruar në spital që nga 29 marsi, pasi u sëmur teksa ishte në grumbullimin me Rumaninë në kampin stërvitor të Mogoshoaia, pasi kishte qenë në pankinë në ndeshjen e play-off të Botëorit ndaj Turqisë. Të dielën e kaluar ai u transferua në repartin e terapisë intensive pas një infarkti akut të miokardit.

“Spitali i Urgjencës Universitare i Bukureshtit njofton se sot, të martën, 7 prill 2026, rreth orës 20:30 të mbrëmjes (ora lokale), Z. Mircea Luçesku u shpall i vdekur”, shkruhej në njoftimin e spitalit.

Mircea Luçesku ishte një nga trajnerët dhe lojtarët më të suksesshëm rumunë të futbollit, i pari që kualifikoi ekipin kombëtar rumun për një Kampionat Europian, në vitin 1984.

Ai ishte trajneri i tretë me më shumë trofe të fituar në karrierë, plot 35 të tillë, i kaluar vetëm nga Aleks Ferguson dhe Pep Guardiola.

Gjatë karrierës së tij, trajneri drejtoi klube si Corvinul, Dinamo, Pisa, Brescia, Reggiana, Rapid, Inter, Galatasaray, Beşiktaş, Shakhtar, Zenit Saint Petersburg, Dynamo Kyiv dhe kombëtaren turke.