Fatos Lubonja, publicist dhe ish-i burgosur politik në Spaç, i cili ishte pjesë e protestës së mbajtur përpara Drejtorisë së Policisë së Shtetit në Tiranë në mbështetje të protestave kundër ndërtimeve turistike në zonën e Zvërnecit, u përmend sot nga kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Rama u shpreh se “Lubonja jeton me makthin e mafies”, ndërsa theksoi se “mafia që ai tregon është njësoj si ata që i tregonin atij armikun e popullit”. Rama tha se respektonte vuajtjet e tij në diktaturë, por jo gjuhën që përdor tani analisti.
Edi Rama: Mos harroni një gjë, nëse ne e harrojmë që rolin kryesor që kemi në këtë proces, ne si Shqipëri dhe shqiptar, për ta bërë Shqipërisë siç duam, që të krijojmë klimën e duhur dhe këta investitorë largohen, nuk është problem se nuk do të bëhet Zvërneci, por s’do të vijë njeri për ca kohë. Pasi e thonë; nëse nuk merren vesh me ata, kushedi çdo bëhet me ne. Ndaj mendoheni! O do të zgjedhim zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë të ekselencës se nuk e mbarova numrin e brendeve që kam bërë marrëveshje. Nuk them pa problem, se është me problem. Por me forcë kundër jush, nuk jam i interesuar. JO! Por me forcë kundër atyre që më sulmojnë, do i luftoj. Me forcë kundër Lubonjës, se që kur u nda nga unë flet për mafie. Por mafien që ai më tregon mua, ma tregon por është njëson si ata që i tregonin atij ‘armikun e popullit’. Unë nuk e kam me ju betejën. Betejën e kam bashkë me ju.
Ndërkohë në fjalën e tij të mbajtur gjatë tubimit të një dite më parë (31 maj), Lubonja tha se kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është vetëm çështje e Rrjollit apo e Zvërnecit, por çështje e të gjithë shqiptarëve. Ai kërkoi që shteti të mbajë përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Zvërnec.



