-640-0-1679773462xspital-236

 

Shqipëria mbetet një nga vendet ku qytetarët mbajnë barrën më të rëndë financiare për shërbimet shëndetësore.

Sipas raportit “South East Europe 2030 Strategy – State of Play in 2025”, shpenzimet për shëndetësinë në vend arrijnë në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pak më poshtë se mesatarja e Europës Juglindore prej 7.5%.

Megjithatë, problemi kryesor nuk lidhet vetëm me nivelin e shpenzimeve, por me mënyrën se si financohet sistemi. Raporti tregon se pagesat direkte nga xhepi në Shqipëri arrijnë në 48.3% të totalit të shpenzimeve shëndetësore, niveli më i lartë ndër vendet e krahasuara.

Kjo do të thotë se gati gjysma e kostove për vizita, analiza, barna apo trajtime mbulohen drejtpërdrejt nga qytetarët, në vend që të përballohen nga skemat publike, sigurimet apo mekanizmat e tjerë mbrojtës.

Diferenca me rajonin është e ndjeshme. Mesatarja e Europës Juglindore për pagesat nga xhepi është 28.2%. Në Kroaci ky tregues është vetëm 9.4%, në Slloveni 12.4%, në Turqi 19.1%, në Rumani 23%, në Mal të Zi 26.3% dhe në Moldavi 27.5%.

Edhe vendet që kanë barrë më të lartë për familjet mbeten poshtë Shqipërisë. Maqedonia e Veriut raporton 39.6%, Bullgaria 35.5%, Greqia 34.3%, Serbia 32.1% dhe Bosnjë-Hercegovina 31%.

Sa i përket shpenzimeve totale për shëndetësinë në raport me PBB-në, Shqipëria renditet poshtë disa vendeve të rajonit si Mali i Zi me 9.7%, Sllovenia me 9.3%, Bosnjë-Hercegovina me 8.9%, Greqia me 8.4%, Serbia me 8%, Bullgaria me 7.9%, Maqedonia e Veriut me 7.4% dhe Kroacia me 7.2%.

Raporti thekson se mbrojtja financiare në shëndetësi është më e fortë në vendet ku pagesat nga xhepi janë nën 15% të shpenzimeve aktuale për shëndetësinë.

Në këtë krahasim, Shqipëria është shumë larg këtij pragu, duke treguar se qytetarët vijojnë të përballen me kosto të larta direkte për kujdesin shëndetësor.